Flash News

KRYESORE

Pas kullës me stadium, a do ketë një tjetër kullë me teatër brenda? Ministrja Kumbaro nuk e ka mohuar

Pas kullës me stadium, a do ketë një tjetër kullë me

Aktorët e Teatrit Kombëtar janë duke kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Kulturës për t’i zhvendosur drejt një qendre multifunksionale që po ndërtohet në Tiranë. Plani i Ministrisë është që në ambientet e teatrit të ‘strehohen’ për dy vite artistët e operas dhe baletit, pasi godina në qendër të Tiranës do i nënshtrohet restaurimit. Por, aktorët e konsiderojnë të pakuptimtë që të zhvendosen papritur nga shtëpia e tyre, e cila ka shërbyer për 70 vite si Teatër Kombëtar.

Megjithatë, ekziston edhe një shqetësim tjetër brenda rrethit të aktorëve, por edhe të shumë gazetarëve. Prej dy vitesh përflitet për ndërtimin e një kulle shumëkatëshe në vendin ku sot ndodhet Teatri Kombëtar. Fakt është se godina ekzistuese do të shembet dhe nuk do i nënshtrohet restaurimit. Vetë ministrja Mirela Kumbaro ka theksuar se nuk do të hedhë lekë në atë “gropë të zezë”, siç ajo e ka quajtur godinën e teatrit, pasi kosto e ndërtimit të një teatri të ri është më e ulët se restaurimi i atij që kemi sot.

Në vitin 2016, Kumbaro është pyetur në dy raste nëse shembja e godinës ekzistuese fsheh skenarin e ndërtimit të një kulle shumëkatëshe, brenda së cilës mund të improvizohet Teatri Kombëtar. Ministrja nuk ka dhënë një përgjigje të qartë, duke iu shmangur pyetjeve.

8 shtator 2016- A do shembet dhe do ndërtohet i ri Teatri, dhe jo kullë? Kësaj pyetje të gazetës “Mapo”, Kumbaro u shpreh se: “Ne kemi marrë masat që të mos jetë e rrezikshme, por ka humbur çdo shans për rikonstruksion, një pjesë e së cilës është tashmë e rënë. Do të ruhet hapësira e tokës së Teatrit Kombëtar, i cili do të rindërtohet”.

29 shtator 2016- E pyetur në ‘Wake Up’ nëse ndërtesa do të ngrihet në formën që është apo si një skenë teatri brenda një kulle shumëkatëshe, Kumbaro u shpreh: “Unë nuk shoh arsye që ajo të ndërtohet në atë formë që është. Nëse doni mendimin tim personal, ajo nuk është ndonjë godinë që të lë pa frymë. Vlerën e ka në atë se çfarë ka ndodhur brenda; në historinë, tek ikonat e teatrit që i kanë dhënë shpirtin asaj godine. Sikur t’i heqim gjithçka mbart brenda, ajo është një godinë mëse mediokre”!

Mungesa e një përgjigje të qartë nga ministrja e Kulturës shton dyshimet se pas dy vitesh, qytetarëve të Tiranës do u prezantohet projekti i një kulle shumëkatëshe me një teatër brenda, ashtu siç ndodhi me stadiumin kombëtar, i cili tani që po merr formën përfundimtare shihet se është futur brenda një kulle të lartë, ndryshe nga sa paraqitej në projekt.

Projekti/ Si do të duket qendra multifunksionale ku Mirela Kumbaro do të fusë aktorët shqiptarë

Zhvendosja e Teatrit Kombëtar, Ndriçim Xhepa telefonon Xhaxhiun: Vendim i pakuptimtë, nuk na ishte thënë më parë 

Të fundit