Flash News

KRYESORE

Pas ligjit anti-shpifje të Ramës, krijohet Aleanca për Mediat Etike: BE, KiE dhe UNESCO ‘bëhen’ kumbarët

19 media shqipare, mes të cilave edhe Politiko.al krijuan sot ‘Aleancën për Media Etike’, qëllimi i të cilës është luftimi i informacionit jo të saktë, jo etik dhe respektimi i së drejtës të autorit.

Me iniciativë të Këshillit të Medias, mbështetur nga Bashkimi Evropian, UNESCO, Këshilli i Europës dhe ambasada holandeze në vendin tonë, kjo aleancë do të zgjedhë një bord etik me përfaqësi të mediave pjesë të aleancës, juristë, përfaqësues nga Departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe vetë Këshillit të Medias.

Përfaqësuesit që ishin mbedhur në sallë ngritën shqetësimin e ligjit të AMA’s, dhe mundësinë që nëse ai kalon të dublojë punën e Bordit të Etikës. Ky ligj u konsiderua si një pengesë konkrete për realizimin e vetërregullimit të medias sipas standarteve europiane, madje u shpreh dhe shqetësimi që qeveria shqiptare mund të injorojë dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Të pranishëm në themelimin e Aleancës për Media Etike ishin dhe Ambasadori i BE-së, z. Luigi Soreca, Ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Znj. Guusje Korthals Altes, Adeline Hulin nga UNESCO, Olsi Dekovi nga Zyra e Këshillit të Europës të cilën në fjalën e tyre, shprehën mbështetje të hapur për këtë inisiativë.

Ambasadori Soreca u shpreh se iniciativa vjen në kohën e duhur, ndërsa Parlamenti po pret opinionin e Komisionit të Venecias përpara votimit të të ashtuquajturit ‘paketa antishpifje’.

Ai shtoi se përmes vetërregullimit, gazetarët do të shkojnë drejt profesionalizmit dhe besueshmërisë.

“Iniciativa e sotme vjen në kohën e duhur, ndërsa Parlamenti po pret opinionin e Komisionit të Venecias përpara votimit të të ashtuquajturit ‘paketa antishpifje’. Ne kemi shprehur shqetësimet tona për inisiativën aktuale të Qeverisë për amendimin e ligjit për shërbimet mediatike. BE-ja ka kërkuar që kjo inisiativë të adresojë rekomandimet e Këshillit të Europës dhe, në përgjithësi, të jetë plotësisht në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Ne e konsiderojmë vetërregullimin si një hap shumë të rëndësishëm i cili do të promovojë cilësinë e informacionit do të luftojë dizinformin dhe shpifjen, ndërkohë që do të ruajë dhe lirinë editoriale  dhe do të fuqizojë kredibilitetin e medias”, tha Soreca.

Në Aleancën për Media Etike, ABC News, Citizens-Channel.com, Gazetadita.al, Droni.al, Dosja.al, Exit.al, Faktoje.com, Javanews.al, Gazeta-Shqip.com, Lapsi.al, Liberale.al, Mapo.al, Opinion.al, Ora News, ORA TV, Politiko.al, Shqiptarja.com, Syri.net dhe Report TV, kanë rënë dakort së bashku që të respektojnë Kodin e Etikës së Gazetarit dhe të drejtën e autorit.

Të fundit