Pas mbledhjes së Këshillit Politik, Gjiknuri: Garancitë që i dhamë opozitës

Në ndryshim nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, të cilët thanë se PS i ka rrëzuar kërkesat e tyre, Damian Gjiknuri i Partisë Socialiste tha se ata i kanë pranuar mjaft prej sugjerimeve të opozitës duke filluar nga vëzhgimi me kamera i qendrave të votimit tek e drejta për të hapur çdo kuti votimi pas mbylljes së procesit.

“Kemi ofruar hapjen e çdo kutie pas nxjerrjes së rezultatit zgjedhor. Ne kemi bërë greva dhe demonstrata dhe nuk na është dhënë hapja e kutive pas zgjedhjeve. Kjo është mundësi për çdo parti. Kushdo që mendon se është bërë shkelje mund ta hapë kutinë. Nëse ka pretendime për mbushje të kutive, merret kamera dhe verifikohet.

Kemi pranuar që të mos ketë prezencë rreth qendrave të votimit. Do të jenë vetëm persona të autorizuar. Kemi provuar shtim të fiancimit shtetëror. Kemi garantuar depolitizim katër muaj para datës së zgjedhjeve qeveria s’mund të bëjë propagandë për arritjet e saja. Kemi mbetur vetëm tek çështja e administratës zgjedhore, teknologjia dhe Kolegji Zgjedhor.”