Flash News

KRYESORE

“Pas Teatrit Kombëtar, i vjen radha Galerisë së Arteve në Tiranë”

“Pas Teatrit Kombëtar, i vjen radha Galerisë së Arteve

Aleanca për Mbrojtjen e teatrit i kërkon presidentit Ilir Meta të rishikojë ligjin e miratuar të enjten që shkoi në Kuvend, i cili parashikon shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Aleanca i vë në dukej edhe një herë të gjitha shkeljet e këtij ligji, i cili u miratua pa konkurs dhe me procedurë të përshpejtuar. Sipas letrës së artistëve, kjo mënyrë e zgjedhur nga mazhoranca është në shkelje të standardeve të BE-së dhe përmes kësaj mënyrë shumë shpejt mund t’i vijë radha edhe institucioneve të tjera historike si Galeria e Arteve, Muzeut Historik Kombëtar etj.

“Kjo formë veprimtarie ekonomike e parashikuar me ligj vjen në kundërshtim me standardet e BE, ku aspirojmë të integrohemi e konkretisht me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të nënshkruar dhe ratifikuar nga Shqipëria ku sanksionohet detyrimi i shtetit shqiptar që kontratat publike t’i nënshtrohen konkurrencës. Me këtë ligj, ky standard është shkelur. Nëse do lejohet ky precedent në ligjbërje, atëherë çdo mazhorancë do të miratonte ligje pa kufi. Nëse kuadri kushtetues dhe ligjor aktual nuk arrin ta ndalë këtë precedent, atëherë kush mund ta ndalojë që nesër Galeria e Arteve, Kryeministria, Muzeu Kombëtar e me radhë t’i nënshtrohen të njëjtës formulë?”, theksohet ndër të tjera në letrën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Të fundit