Flash News

KRYESORE

Pas tërheqjes së kompanive, bie sektori “Call Center” në Shqipëri

Pas tërheqjes së kompanive, bie sektori “Call Center”

Sektori i “call center” vitet e fundit qe kthye në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, ku sipas të dhënave nga tatimet, ai punësoi mbi 25 mijë punonjës.

Por me 1 prill të këtij viti hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e Call Center, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve jo anëtare të BE-së. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.

Nisma e Italisë për delokalizimin alarmoi kompanitë Call Center në Shqipëri të cilat penalizoheshin për shkak se operonin në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Jo në pak raste u ngrit shqetësimi i falimentit dhe riskut të humbjes së mijëra vendeve të punës. Qeveria në atë kohë pati një reagim të zbehtë përmes një shkrese drejtuar palës italiane por që nuk arriti të merrte ndonjë përgjigje pozitive.

Tashmë duket se rënia e aktivitetit të “Call Center” është bërë realitet. INSTAT konfirmoi në raportin e prodhimit të brendshëm bruto të tremujorit të dytë se Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 2,31 % i ndikuar kryesisht nga rënia në aktivitetin e Call Center. Është hera e parë që ky sektor raporton rënie, pas rritjes së vrullshme vitet e kaluara.

 

 

Të fundit