Flash News

KRYESORE

Pas Tushës dhe Shaqirit, Meta propozon tjetër emër për kreun e KLSH-së: Kandidati më i përshtatshëm

Pas Tushës dhe Shaqirit, Meta propozon tjetër emër për kreun

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si kandidat për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prof. Dok. Petraq Milo.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi. Sipas Metës, Petraq Milo i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë në drejtimin e institucioneve.

“Prof. Dok. Petraq Milo njihet si një personalitet me një eksperiencë të gjatë, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë.

Përvoja e tij akademike, brenda dhe jashtë vendit, si edhe bashkëpunimi me institucionet më të rëndësishme financiare botërore dhe të Bashkimit Europian, janë një faktor i rëndësishëm për këtë zgjedhje.

Presidenti Meta falënderon edhe njëherë kandidatët e mëparshëm të propozuar prej Tij për postin e kryetarit të KLSH-së, znj.Vitore Tusha dhe z.Bahri Shaqiri, të cilët pranuan kandidimin e tyre, dhe është i bindur edhe sot në integritetin e lartë të tyre për drejtimin e KLSH.

Presidenti Meta duke qenë i bindur në drejtësinë e vendimit të Tij, pasi ka lexuar me shumë vëmendje sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë  kandidati për kryetar i KLSH-së, nuk gjeti dot një kandidat më të përshtatshëm dhe me kaq eksperiencë të gjithanshme, si Prof. Dok. Petraq Milo, për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese.

Presidenti Meta do t’ja dërgojë brenda ditës së sotme propozimin e tij Kuvendit, me besimin e plotë se do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe përgjegjshmëri, që KLSH të funksionojë në mënyrë plotësisht kushtetuese e ligjore”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më herët, presidenti ka propozuar edhe Vitore Tushën dhe Bahri Shaqirin për postin e kreut të KLSH, por Kuvendi i ka refuzuar me pretekstin e mungesës së eksperiencës së nevojshme.

Të fundit