Flash News

KRYESORE

Pasi futi Era Istrefin në grupin e "këngëtarëve ordinerë", Ergys Mërtiri ‘kapet’ me kritikët: Shumica janë analfabetë funksionalë

Pasi futi Era Istrefin në grupin e "këngëtarëve

Sociologu Ergys Mëritir ka publikuar një tjetër koment pas kritikave që mori shkrimi i tij ku Era Istrefin e bënte pjesë të grupit të "këngëtarëve ordinerë" që kanë kënduar më parë në Botëror, ndërsa veprimin e Hashim Thaçit për t’i dhënë asaj medaljen e 10 vjetorit të pavarësisë, si shembull inferioriteti.

Mërtiri i quan masën më të madhe të kritikëve të tij “analfabetë funksionalë që marrin guximin e budallait të ofrojnë me kompetencë verdikte definitive mbi estetikën- kategoria e muzikës që Istrefi përfaqëson ka vlera muzikore.”

Mërtiri përpiqet të sqarojë se në shkrimin e tij të parë nuk ka patur për qëllim të fyejë Erën, por ai i adresohej presidentit Thaçi “që ngatërron vlerat kombëtare, vlera sublime të kombit si, lufta për pavarësi, me ahengjet banale të botërorit.”

Reagimi i Ergys Mërtirit:

Për të gjithë ju viktimat e kulturës së konsumit dhe artit komercial

Sipas një mase të madhe komentuesish ndaj reagimit tim mbi dekorimin e Era Istrefit, - shumica e të cilëve analfabetë funksionalë që marrin guximin e budallait të ofrojnë me kompetencë verdikte definitive mbi estetikën, - kategoria e muzikës që Istrefi përfaqëson ka vlera muzikore. Sipas tyre këngëtarë si Ricky Martin, Shakira, Rihanna, Rita Ora, Jennifer Lopes, etj, bëjnë muzikë me vlerë pasi e pëlqen gjithë bota. Sipas një pjese të madhe prej tyre arti komercial ka vlera artistike të pamohueshme që ne nuk kemi të drejtë ta gjykojmë. Pati mjaft prej tyre që e reduktuan problemin në çështje shijesh, me idenë se gjithësekush ka shijet e veta.

U përpoqa të shpjegoj tek disa se, përtej shijeve personale ka edhe disa vlera që gjykohen objektivisht apo profesionalisht. Kultura ka disa parametra që përcaktojnë se cila është një vepër e mirë e cila është një vepër e keqe. Shijet janë aspekti relativ i vlerësimit, por pasi objekti i gjykuar i përmbush disa kritere objektive dhe standarde të përcaktuara nga një sërë vlerash të mirënjohura. Përndryshe bota bie në batakun e shkatërrimit relativist të vlerave dhe asgjë nuk mund të jetë e vlerësueshme. Sipas kësaj pikëpamje i bie që sot Linda Morina të vlerësohet po njësoj sa Bethoveni, në mos më shumë, pasi ajo ka më shumë klikime nga shqiptarët në youtube.

Për ta ilustruar po sjell shembullin e bletës që ushqehet me nektar lulesh dhe mizës që ushqehet me fekale. Secila ka të drejtën e saj të ushqehet me atë çfarë ia ka nevojë trupi, por, në pavarësi nga “shijet e insekteve”, unë kam të drejtë të vlerësoj estetikisht aromat e secilit material ushqimor.

Në lidhje me artin komercial, ka pafundësisht reagime nga kritikë, muzikantë, studiues, mendimtarë të cilët thonë se ky lloj arti po shkatërron kulturën e sotme. Në fakt, arti komercial është një jo-art, madje anti-art, i cili i kundërvihet artit të vërtetë duke e shndërruar atë në një surrogato pa vlerë. Arti komercial, nuk i drejtohet më vlerave universale, por vlerave të konsumit. Ai bëhet mbështetet mbi marketing e jo mbi vlera dhe në fund matet me sasinë e shitjeve, jo mbi kritere artistike. Ai del në shitje dhe vdes sapo konsumohet, për t’ia lënë vendin një vepre të re, e cila gjithashtu konsumohet me shpejtësi për t’ia lënë vendin një tjetre.

Kur kam qenë fare i ri, adoleshent, kam dëgjuar Metallica, Led Zeppelin, Deep Purple, Pink Floyd, Guns n Roses, ndërsa grindesha me miq të mij që dëgjonin Snap, 2 Unlimited, Technotronic, Dr. Alban, La Bouche (që gjithsesi, kanë më shumë vlera se këta të sotmit që përmenda më sipër). Sot, Zepelin-ët Purple-at e të tjerët, dëgjohen akoma me të njëjtin interes, ndërsa, Snap-ët e La Bouch-ët nuk i njeh më kush. Imagjino se kush do ta njohë Ricky Martin, pas 30 vjetësh! Më vjen keq që po rrisim një brez që kullot në plehra dhe kultivohet me shije surrogate për të cilat nuk do të ketë nesër kurrfarë krenarie, nëse do të arrijë dikur të kuptojë ca gjëra nga bota!

Përveç kësaj, më duhet të sqaroj se në reagimin tim nuk kam pasur aspak për qëllim të merrem me Era Istrefin e as të fyej atë. Ajo shkoi në botëror sepse e ftuan dhe është gjëja më normale që do të bënte çdo këngëtar në këto kushte. UEFA e përzgjodhi sepse ajo bën biznes dhe kërkon muzikë komerciale vulgare për të tërhequr masat. Shkrimi im i adresohej Hashim Thaçit që ngatërron vlerat kombëtare, vlera sublime të kombit si, lufta për pavarësi, me ahengjet banale të botërorit! Kaq.

Të fundit