Flash News

KRYESORE

Pasi u mbytën 8 pushues, kujtohet ministri i Ramës: Plazhet të pajisen me roje bregdetare

Gjatë këtij sezoni turistik deri tani kanë humbur jetën në plazhet shqiptare 8 pushues, vendas dhe te huaj.

Një nga shkaqet që ata nuk kanë mundur të mbijetojnë është edhe mungesa e rojeve bregdetare, një fenomen shqetësues prej vitesh në plazhet tona.

Pak ditë pasi 8 pushues janë mbytur në ditë të ndryshme që nga fillimi i sezonit veror, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi është kujtuar se në plazhet shqiptare duhet të ketë roje bregdetare.

Ai u ka dërguar një letër të gjithë kryebashkiakëve të vendeve bregdetare dhe u kërkon që të pajisin plazhet me këto masa, për të parandaluar tragjedi të tjera.

“Merrni masa për stacionet e plazhit pa roje bregdetare. ligji është i qartë. Ndërprerje e kontratës për këdo nuk zbaton ligjin. Keni përgjegjësinë për zbatimin rigoroz të ligjit për sigurinë në det. Ndërprisni kontratat me subjektet që nuk garantojnë sigurinë në plazhe”, shkruan ndër të tjera ministri.

Kujtojmë se gjatë kësaj periudhe tetë persona janë mbytur këtë sezon turistik në plazhet shqiptare. Katër nga viktimat janë shënuar në vijën bregdetare në Durrës, ndërsa katër të tjerët në Sarandë e plazhe të tjera.

Të fundit