Flash News

KRYESORE

Paskal Milo: Fitorja e PS erdhi nga shitblerjeja masive e votës. Rama ka një plaformë për asgjesimin e së majtës

Paskal Milo: Fitorja e PS erdhi nga shitblerjeja masive e votës.  Rama ka

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, e konsideron të frikshme fitoren e PS-së në zgjedhjet e 25 qershorit. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ish-bashkëpunëtori i Ramës, thotë se me fitoren e thellë të PS-së dhe me një kryeministër i gjithëpushtetshëm ekziston rreziku i vendosjes së një pushteti personal të tij. Sipas Milos, “kjo fitore erdhi si rezultat i një mobilizimi maksimalist të të gjitha burimeve njerëzore, financiare, legjitime dhe jo të tilla, nga ana e PS-së, erdhi si rrjedhojë e një agresioni të pashembullt mediatik i lidershipit të PS-së, erdhi si rrjedhorja e një shit-blerjeje masive të votës, e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar. Këtë fitore e ndihmoi edhe bujaria e kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës që shkoi dhe nënshkroi një marrëveshje kapitulluese me kryetarin e PS-së, gjë që ç’mobilizoi një pjesë të madhe të elektoratit të djathtë, që nuk shkoi për të votuar dhe ndikoi në fitoren e socialistëve për shkak të uljes drastike të votuesve të djathtë. Kjo fitore i jep mundësi Edi Ramës të përqendrojë të gjithë pushtetin në duar të tij, ashtu siç e ka dëshiruar dhe ëndërruar prej vitesh për të vënë në jetë një platformë personale, që më e pakta do të thosha, një regjim të fortë në një demokraci të dobët”.

Më tej z. Milo thekson se “Me këtë agresivitet elektoral që bëri, ai e çoi më tej projektin e vetë për asgjësimin e së majtës, të cilën me sa gjykoj unë ai e quan një koncept të vjetër, një arkaizëm të pluralizmit shqiptar dhe do të përpiqet me ndryshimet e ardhshme Kushtetuese dhe Kodin e ardhshëm Zgjedhor, që ta çojë deri në fund projektin e vetë, pra eliminimin e pluralizimit demokratik në Shqipëri dhe veçanërisht eliminimin e segmenteve të tjera brenda së majtës për ta shkrirë, siç e ka artikuluar shumë qartë gjatë fushatës dhe pas saj, që ai të bëhet lideri i qytetarëve shqiptarë”, thotë mes të tjerash Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.

 

Të fundit