Flash News

KRYESORE

Pasojat e tërmetit, Basha nga Durrësi: Qeveria nuk mori as masat më të thjeshta, falimentimi i bizneseve 25% më i lartë

Pasojat e tërmetit, Basha nga Durrësi: Qeveria nuk mori as masat

Kryedemokrati Lulzim  Basha ishte i pranishëm sot në Durrës me përfaqësues të bizneseve.

Në fokus të takimit ka qenë situata pas tërmetit dhe ndikimi në ekonomi. Për mediat Basha kujtoi planin me pesë pika që i propozoi qeverisë për rimëkëmbjen e ekonomisë për të cilin thotë se nuk e vuri në zbatim.

Kryedemokrati shton se qeveria duhet të kishte futur në plan të paktën shpenzimet për periudhën e emergjencës një mujore dhe shpenzimet e telefonisë celulare, duke marrë si shembull Turqinë.

Sipas Bashës situata mbetet katastrofike e falimentimi i bizneseve është 25 % më i lartë, teksa argumenton se edhe pse kanë kaluar dy muaj vendosja e emergjencës nuk ka shërbyer për gjë.

“I kërkuam qeverisë të merrte pesë masa të thjeshta. Mund  të kishim futur edhe shpenzimet të paktën për periudhën e emergjencës një mujore edhe shpenzimet e telefonisë celulare. E bëjnë turqit.

Menjëherë sapo nxora këto pesë pika, dëgjova nga ana e qeverisë që tha “Disa nga pikat që ka nxjerrë Lulzim Basha janë në hartim e sipër”. Se çfarë ka ndodhur pas “hartimit e sipër”, unë nuk e di. Ndoshta unë jam i painformuar. Por kjo nuk ka gjasa, sepse kryetari i opozitës është njeriu i dytë më i informuar në Shqipëri, pas të parit të qeverisë.

Kanë filluar efektet e para të asaj që e kam quajtur dimri ekonomik. Më thonë që afro 25% më shumë është rritur falimentimi i biznesit të vogël. Ndërkohë që kostoja që ka përcjellë tërmeti dhe pasojat e tërmetit edhe tek biznesi jo i vogël dhe biznesi madh dhe biznesi prodhues në tërësi, tani po fillon të ndihet kafshimi i kësaj kostoje dhe po fillon të përkthehet në disa raste edhe në largim njerëzish nga puna. Sepse është edhe një nga zërat e para që biznesi redukton kur nuk është në gjendje të përgjigjet financiarisht.  Kjo natyrisht është një situatë katastrofike”, u shpreh kryedemokrati Basha.

Të fundit