Flash News

KRYESORE

Pasojat e tërmetit/ PD-ja kallëzon në SPAK, Veliajn, Lleshajn, Dakon dhe zyrtarë të tjerë

Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) për vrasje nga pakujdesia në rrethana rënduese dhe 4 akuza të tjera në lidhje me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar.

Disa nga zyrtarët e lartë ndaj të cilëve është ngritur padi janë Erjon Veliaj, Sandër Lleshaj, Artur Bushi, Vangjush Dako, Valbona Sako dhe Besa Shahini, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”; “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese; “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.

Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, një javë më parë, evidentohet se: “Neglizhenca kriminale e Kryetarit të Bashkisë Krujë dhe të funksionarëve të tjerë publikë, duke lejuar banorët e 2 pallateve në Thumanë të qëndronin në brendësi të këtyre godinave, të cilat ishin deklaruar të pabanueshme dhe përbenin rrezik serioz për jetën e banorëve, ka sjellë pasojën e rëndë të vdekjes së 24 qytetarëve. Kjo përbën veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Vrasje nga pakujdesia” në rrethana rënduese”.

PD-ja akuzon se zyrtarët publikë me vetëdije të plotë nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e këtyre pasojave dhe pse kishte informacion të plotë dhe të detajuar në lidhje me pasigurinë që këto objekte paraqesin, por me shpërfillje totale dhe pas pasojave të tërmetit të datës 21.09.2019, përsëri refuzuan që të ndërmerrnin masat ligjore.

“Kjo shpërfillje totale për jetët njerëzore nga zyrtarët publikë e bën vdekjen e 24 qytetarëve në Thumanë një “vrasje shtetërore”, për të cilën duhet të përgjigjen penalisht personat përgjegjës.

E njëjta përgjegjësi evidentohet edhe për vdekjen e Kryekomisar Bajram Hajdarmetaj, në Godinën e Konvaleshencës në Durrës, e cila ishte shpallur e pabanueshme pas tërmetit të 21 Shtatorit, por Ministria e Brendshme nuk kishte marrë asnjë masë për të ndaluar hyrjen në godinë. Si pasojë e kësaj neglizhence totale të Ministrit të Brendshëm dhe të vartësve të tij në kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tyre, ka ardhur një pasojë shumë e rëndë, vdekja e Kryekomisarit Hajdarmetaj.”, thuhet në kallëzimin e partisë më të madhe opozitare.

Gjithashtu, në kallëzimin penal drejtuar SPAK-ut, listohen të gjitha rastet e dëmtimit të infrastrukturës arsimore publike, të cilat janë ndërtuar apo rikonstruktuar vitet e fundit, por janë shkatërruar si pasojë e tërmetit.

Për Partinë Demokratike, shkatërrimi apo dëmtimi i këtyre objekteve është rrjedhojë e prokurime publike korruptive, që kanë sjellë cilësi të dobët të punimeve, duke vënë në rrezik serioz jetën e fëmijëve.

Partia Demokratike thekson se “ky kallëzim është provë për SPAK që të dëshmojë se zbatimi i ligjit është i barabartë për të gjithë, pavarësisht pozitës shtetërore, duke i dhënë fund në këtë mënyrë pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.”

Të fundit