Flash News

KRYESORE

Patozi i përgjigjet Bashës: Gati për ballafaqim, por duhet të shtojmë numrin e detyrimeve

Patozi i përgjigjet Bashës: Gati për ballafaqim, por duhet

Pas deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se çdokush ka hapësirën të bashkohet me këtë forcë politike pasi të jetë distancuar nga krimi, ka reaguar ish-nënkryetari Astrit Patozi, i cili kërkon të zgjerojë listën e kushteve.

Patozi thotë se në numrin e detyrimeve që demokrat duhet të përmbushin për të jetuar nën një çati të përbashkët duhen shtuar distancimet nga korrupsioni, lejet e ndërtimit, bizneset pa emër dhe shit-blerja e mandateve.

Ai thotë se është i gatshëm për ballafaqim me Bashën për çdo sekond të aktivitetit të tyre politik.

Reagimi:

MOS KËRKO KAQ PAK, LULZIM!

Po shoh që i paske dhënë zemër vetes, Lulzim, dhe paske kërkuar distancim nga krimi dhe nga trafiku i drogës, si një kusht për të pasur një vend tek Republika jote, që nuk është më e re. Komplimente, sinqerisht.

Po pse duhet të kërkosh kaq pak? Pse të mos e shtojmë ne numrin e detyrimeve, që duhet të përmbyshim për të pasur mundësi që të jetojmë të lumtur nën një çati të përbashkët?

Pse të mos distancohemi, gjithashtu, nga korrupsioni me çdo tender, që kemi kaluar nëpër duar, nga thasët me euro për çdo leje ndërtimi dhe për çdo gjë, që kemi firmosur, nga pallatet tona dhe të fisit të gruas në vite, nga bizneset tona me dhe pa emër, nga kompanitë brenda dhe jashtë vendit (off shore ose jo), nga shitja dhe blerja e mandateve politike të Partisë Demokratike, si dhe nga çdo abuzim tjetër me pushtetin, që mund të mos më vijë ndërmend tani.

Gjithmonë, nëse do të ishe edhe ti dakord, mund të shtonim si kushte edhe mashtrimin, gënjeshtrën (jo vetëm për orën), hipokrizinë, besëprerjen, pabesinë, skuthërinë, ligësinë, pashpirtësinë, papërgjegjshmërinë dhe paturpësinë, të cilat mund t'i konsideronim si 10 cilësitë e (pa)përshtatshme të një demokrati të ri.

E nisim kokë për kokë po deshe, Lulzim, madje ashtu do të bëhet shumë shpejt edhe, nëse ti do t'i ikësh ballafaqimit me bishtin ndër shalë.

Po deshe, mund ta fillojmë nga dita që kemi lindur, por dakord jam edhe që nga dita kur jemi bërë maxhorenë me letra, dhe, më mirë akoma, që nga dita kur kemi shkelur të dy në politikë apo në jetën publike.

Thjesht për të freskuar kujtesën Lulzim, kemi hyrë në të njëjtën ditë në parlament, por rrugën që nga ajo kohë e kemi pasur shumë të ndryshme.

Nëse je gati Lulzim që ta nisim ballafaqimin për çdo sekondë të aktivitetit tonë politik, të pres me padurim në çdo ekran, portal, gazetë, madje edhe tek ajo kafeneja e djeshme, vetëm një tavolinë larg paparacëve të tu.

I yti

ASTRIT PATOZI

Të fundit