Flash News

KRYESORE

PD akuza qeverisë: Tenderi 30 mln euro për uniformat e policisë, korrupsion i pastër

PD akuza qeverisë: Tenderi 30 mln euro për uniformat e policisë,

Partia Demokratike e cilëson tenderin prej 30 milionë eurosh të Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë si një aferë korruptive, ku shkurtohet afati i tenderit në kundërshtim me ligjin dhe favorizohet klienti i qeverisë.

Në një deklaratë për shtyp, drejtuesja e departamentit antikorruspion, Lealba Pelinku, tha se kur bëhet fjalë për abuzimin me miliona euro, Sandër Lleshaj nuk ndryshon nga paraardhësit e tij Saimir Tahiri apo Fatmir Xhafaj.

“Gjuetia e preferuar e Ministrave të Brendshëm të Edi Ramës është tenderi 30 milionë euro me uniformat e policisë. Kësaj radhe, mënyra e gjetur për të vjedhur është paracaktimi i fituesit përmes shkeljes së procedurave ligjore për rregulla të barabarta loje dhe konkurrencë të drejtë në treg. Për të përjashtuar garën në tenderin e hapur pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka përgjysmuar afatin minimal të parashikuar në ligj për t’u bërë pjesë e tenderit dhe për të plotësuar kushtet e tij. “, akuzoi Pelinku.

Ajo shtoi se ligji i Prokurimit Publik parashikon një afat minimal 52 ditor, por Sandër Lleshaj, në shkelje të ligjit, ka vendosur shkurtimin e afateve për ata që duan të konkurrojnë në 24 ditë.

“Shkelja e të tilla garancive ligjore është tregues direkt se kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Kemi të bëjmë me një pazar mes atij që drejton Ministrinë e Brendshme dhe klientit të paracaktuar, për favorizimin e të cilit ngushtohen ditët e garës dhe shmangen konkurrentët e tjerë.

Gjithçka ndodh në kurriz të qytetarëve shqiptarë, të cilët vidhen hapur nga një qeveri që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura me bandat dhe krimin e organizuar. Partia Demokratike do ta ndjekë me vëmendje këtë tender dhe do të denoncojë çdo akt korruptiv që fut duart e Ministrit të Brendshëm apo të kujtdo tjetër në 30 milionë euro para publike.”, përfundoi drejtuesja e departamentit antikorruspion në PD.

Të fundit