Flash News

KRYESORE

PD denoncon marrëveshjen Xhafaj-Marku: Zëvendëson Kushtetutën; Prokuroria në shërbim të kryeministrit

PD denoncon marrëveshjen Xhafaj-Marku: Zëvendëson

Partia Demokratike ka denoncuar marrëveshjen e arritur midis Fatmir Xhafajt dhe Arta Markut, mëngjesin e sotëm, e cila bashkon kompetencat e dy institucioneve të pavarura nga njëra-tjetra.

Enkelejd Alibeja tha se ‘marrëveshja midis ministrit të Brendshëm dhe prokurores së Përgjithshme e vendos Prokurorinë në shërbim total të Saimir Tahirit dhe prishjes së hetimit ndaj tij’.

Sipas Alibeajt, marrëveshja zëvendëson Kushtetutën, Kodin e Procedures Penale, ligjin e Prokurorisë  dhe bazohet në një ‘VKM’ të pabotuar në fletore zyrtare, pra e pavlefshme.

“Marrëveshja e vendos totalisht Prokurorinë nën urdhrin e Edi Ramës”, tha Alibeaj.

Deputeti demokrat tha se tashmë në Shqipëri ekziston një ‘Prokuror Privat i Përhershëm’ i Edi Ramës.

“Nga një situatë antikushetuese ku kemi një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshem, sot kemi një prokuror privat të përhershëm të Edi Ramës”, tha ai.

Edhe ish-ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi theksoi se marrëveshja ka ndryshuar Kushtetutën dhe ligjin e Prokurorisë.

“Marrëveshja ka ndryshuar Kushtetutën, kodin e procedurës penale dhe ligjin e prokurorisë. Marrëveshja zhbën rregullat e pavarësisë së prokurorëve. Do të jetë Prokurori i Përgjithshem dhe ministri i Brendshëm që do të caktojnë prokurorët. Marrëveshja i bën hetimet e pavlefshme dhe pasoja e parë do të jetë që të gjitha hetimet që do të kryen ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit do të jenë të pavlefshme dhe do të goditen në gjykatë si të tilla”, tha Bardhi.

Marrëveshja parashikon se prokurorët do t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut brenda 5 ditëve, që sipas Bardhit është e pamundur.

“Marrëveshja prish rregullin që vettingun e prokurorëve e bëjnë organet e vettingut dhe ia kalon institucioneve të qeverisë, që do ta bëjnë për 5 ditë. Kjo do të thotë që prokurorët janë paracaktuar ose caktohen me preferenca politike”, tha ish-ministri. 

 

Të fundit