Flash News

KRYESORE

PD denoncon një tjetër gjyqtar që kaloi vetting-un: Ilir Toska është përgjuar nga SHISH duke marrë para

PD denoncon një tjetër gjyqtar që kaloi vetting-un: Ilir Toska

Partia Demokratike, nëpërmjet nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj, ka denoncuar një tjetër gjyqtar që ka arritur të shpëtojë nga procesi i vetting-ut. Bëhet fjalë për gjykatësin e Apelit, Ilir Toska, që sipas Alibeajt, e kaloi vetting-un me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama.

Alibeaj foli për ekzistencën e një raporti të shërbimeve sekrete për Toskën, që u është dërguar autoriteteve më të larta të kohës, Presidentit Alfred Moisiu dhe Ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj. Aty provohej se Ilir Toska, në atë kohë kryeinspektor i KLD-së, ka marrë para me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Brendshme, që ai të mos i jepte masë disiplinore një gjyqtari të korruptuar.

“Pavarësisht këtij fakti të rëndë dhe tronditës, ku gjyqtari Ilir Toska, është kapur në flagrancë për korrupsion, organi i vettingut konfirmoi në detyrë kandidatin e Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ky nuk është rasti i vetëm, kur vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar”, u shpreh deputeti i PD-së.

Reagimi i Enkelejd Alibeajt:

Partia Demokratike i kërkoi dje Edi Ramës, që në vend të akuzave  dhe sulmeve të dala boje kundër opozitës, t‘u thotë shqiptarëve sesi po pastrohet Pallati i Drejtësisë, kur vettingu po konfirmon në detyrë gjyqtarë të kapur në flagrancë me përgjime në afera korruptive.

Duke qenë se Edi Rama hesht për të mbrojtur gjyqtarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, të konfirmuar në detyrë nga vettingu, ne po bëjmë transparencë për një prej rasteve flagrante.

Gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor është vlerësuar nga institucionet përgjegjëse dhe shërbimet inteligjente si i papërshtatshëm me detyrën dhe duhet shkarkuar nga organet e vettingut.

Siç thuhet në raportin zyrtar, gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për këshillin e Lartë Gjyqësor, “rezulton individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga struktura kriminale”, por ai u konfirmua në detyrë nga vetting me urdhër politik të Edi Ramës.

Shqiptarët duhet të dinë se raporti zyrtar i shërbimeve inteligjente bazohet në një përgjim me zë dhe figurë, ku gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor, është përfshirë në korrupsion.

Sipas materialeve që kanë në dosje organet  e vettingut rezulton se Shërbimi Informativ Shtetëror u  kishte dërguar autoriteteve më të larta të kohës, Presidentit Alfred Moisiu dhe Ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj një material audioviziv, ku provohej se Ilir Toska, në atë kohë kryeinspektor i KLD-së, ka marrë para me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Brendshme, që ai të mos i jepte masë disiplinore një gjyqtari të korruptuar.

Pavarësisht këtij fakti të rëndë dhe tronditës, ku gjyqtari Ilir Toska, është kapur në flagrancë për korrupsion, organi i vettingut konfirmoi në detyrë kandidatin e Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Ky nuk është rasti i vetëm, kur vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

Partia Demokratike do të vazhdojë të bëjë transparencë e këtij procesi të korruptuar politikisht nga Edi Rama, qëllimi kryesor i të cilit është zbatimi i projektit mafioz të kapjes së sistemit të drejtësisë për ta vënë atë në shërbim të mbrojtjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar, më të cilin qeveris vendin. ​

Të fundit