Flash News

KRYESORE

PD denoncon një tjetër kryebashkiak të PS: Është dënuar në Greqi; Kërkesë prokurorisë për verifikim

Pas Shkodrës, Vorës dhe Vaut të Dejës, Partia Demokratike denoncon një tjetër kryebashkiak nga radhët e PS se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit.

Sipas PD, Qerim Ismailaj, kryetar i bashkisë së Mallakstrës ka qenë i dënuar në Greqi. Për këtë PD i ka drejtuar një kërkesë prokurorisë për verifikim.

Në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, specifikohet se Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

"Informacionet e Partisë Demokratike tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO” -  theksohet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Sipas ligjit të dekriminalizimit pasqyrimi i të dhënave të pasakta dhe të pavërteta në Formularin e Vetëdeklarimit, përbën vepër penale dhe sjell skualifikimin e subjektit nga kandidimi apo ushtrimi i funksionit publik.

"Partia Demokratike e Shqipërisë, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, te largojë personat me te kaluar kriminale të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje”, njofton PD.

 

Të fundit