Flash News

KRYESORE

PD: Gjyqtarët të mos vërtetojnë mandatet e kryebashkiakëve, të presin Gjykatën Kushtetuese

PD: Gjyqtarët të mos vërtetojnë mandatet e

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se që të mbrohet shteti i së drejtës nga sundimi mafioz i një personi të vetëm, gjyqtarët duhet që të mos vërtetojnë si të vlefshme mandatet, ose të pezullojnë gjykimin derisa dekreti i presidentit të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij, Shqipëria si një vend me kornizë ligjore kushtetuese demokratike, e ka ende mundësinë që votimet e 30 qershorit të refuzohen edhe “de juro” si të paligjshme. Këtë mund ta bëjnë gjykatat në të gjithë Shqipërinë.

Bardhi vuri në dukje faktin se këmbëngulja kriminale e Edi Ramës për të zhvilluar votimet e paligjshme dhe antikushtuese të 30 qershorit e ka çuar vendin 30 vjet mbrapa, në prag diktature, ku çdo pushtet e ka nën kontrollin një njeri i vetëm.

“Sot, askush nuk mund të pohojë se votimet e 30 qershorit ishin demokratike, se ato respektuan Kushtetutën, respektuan të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe u kryen në funksion të interesit publik.

Me pohimin se “Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që mund të bëjë vlerësimin e kushtetueshmërisë së Dekretit të Presidentit”, Misioni i ODIHR-it, i ka vënë 30 Qershorit, de fakto, vulën e paligjshmërisë.”, tha Bardhi në konferencë për shtyp.

Ai më pas tregoi se mundësinë se si votimet e 30 qershorit mund t refuzohen.

“Këtë mund ta bëjnë gjykatat në të gjithë Shqipërinë. Sipas ligjeve të vendit, që një Kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit.

Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve.”

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së theksoi se gjyqtarët, kanë dy mënyra për të mbrojtur shtetin e së drejtës nga sundimi mafioz i një personi të vetëm.

“Të mos japin mandatet, duke vërtetuar pavlefshmërinë e 30 Qershorit dhe të pezullojnë gjykimin, për shkak se çështja nuk mund të zgjidhet para se Gjykata Kushtetuese të vendosë për dekretet e Presidentit të Republikës. Sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur, Dekretet e Presidentit të Republikës janë në fuqi dhe të detyrueshme për zbatim. Kjo është pengesa e fundit institucionale mes demokracisë dhe diktaturës” përfundoi bardhi, i cili e bëri të qartë se PD nuk ka për ta lejuar kurrë që kjo të ndodhë, por mënyra për ta ndaluar me sa më pak kosto për vendin është që gjyqtarët t’i binden ligjit dhe të bëjnë drejtësi përmes ligjit.

Të fundit