Flash News

KRYESORE

PD: Kemi dyshime se Kajmaku do tentojë të manipulojë dhënien e gjurmëve të gishtave

PD i kërkon prokurorisë të veprojë me shpejtësi për zbardhjen e të vërtetës dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku për krimin e kryer në Greqi dhe për krimin e falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit.

Por nga ky subjekt politik ka shqetësim për procedurën e dyshimtë dhe të paligjshme që po ndjek prokuroria, edhe në rastin e verifikimit të Kajmakut, të cilit i ka kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore.

Partia Demokratike kërkon përgjigje sa më të shpejtë, ndërsa sqaron se i ka dërguar Prokurorisë të dhëna konkrete mbi të kaluarën kriminale të kryebashkiakut të Vorës, duke qenë se institucioni hetimor kërkoi të dinte hollësi mbi informacionin që posedonte Partia Demokratike.

Të dhënat i janë dërguar prokurorisë, përmes dy letrave të ndryshme, njëra ditën e djeshme me dokumentat e bëra publikë sipas vendimeve të Prokurorisë dhe Gjykatës greke, tjetra me dokumentin e nxjerrë nga TIMS që tregon se Agim Kajmaku është i njëjti me personin Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në 2003 dhe me numër pasaporte Z 0148497.

Të dyja letrat, ajo e djeshmja dhe e sotmja i janë dërguar prokurorisë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili shpjegon të gjithë informacionin e bërë publik nga Partia Demokratike dhe shpreh shqetësimin e thellë të PD për procedurën antiligjore që po ndjek prokuroria për marrjen e shenjave të gishtërinjve.

“Organi i prokurorisë të përzgjedhurve të Edi Ramës, Valdrin Pjetrit dhe Agim Kajmakut, u kërkon që të depozitojnë gjurmët daktiloskopike tek vartësit e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt, pa asnjë prani të përfaqësuesve të organit të prokurorisë. Kjo procedurë, përveçse e paligjshme, ngre dyshime të forta për manipulimin e këtij procesi, nëpërmjet dhënies së gjurmëve të falsifikuara.”- shprehet sekretari i Përgjtihshëm i PD, Gazment Bardhi.

Ai sjell në vëmendjen e prokurorisë se pika 6 e nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit detyron prokurorinë që “në çdo rast verifikimi të përdorë gjurmët daktiloskopike dhe çdo të dhënë tjetër biometrike, që ruhet në bazat e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë.”

“Procedura e ndjekur nga ana juaj, përveçse shkakton vonesa të panevojshme në procesin e verifikimit, ngre edhe dyshimin e arsyeshëm për një tentativë të mirëorganizuar për manipulimin e rezultatit të verifikimit. Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi apo tentativë për manipulimin e saj, përveçse do të dështojë, përbën edhe një konfirmim të rreshtimit në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”- thuhet në letrën informuese të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Sekretari i PD-së, i kërkon zyrtarisht organit të prokurorisë që të informojë PD dhe opinionin publik mbi arsyet e ndjekjes së një procedure të paparashikuar nga ligji, si dhe të veprojë me efikasitet dhe shpejtësi në zbardhjen e të vërtetës.

Të fundit