Flash News

KRYESORE

PD kërkon shkarkimin si kryebashkiak, ish-gardisti i 21 janarit: Refuzova t’u bindem urdhrave shtetërorë, të paktën sot të mbyllnin gojën

Sot  mbushen 9 vjet nga vrasja e katër protestuesve para Kryeministrisë, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë.

Kryebashkiaku i Matit Agron Malaj, ish-gardist në kohën e ngjarjes së rëndë, përmes një statusi në Facebook kujton se ka refuzuar urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit në janarin e vitit 2011.

Në reagimin e tij, Malaj thotë se përgjegjës direkt për atë fatkeqësi janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-Ministri i Brendshëm i asaj kohe Lulzim Basha që sipas tij “dhanë urdhër për të qëlluar duke shkelur çdo ligj e çdo normë“.

Reagimi i Malajt vjen në momentin që PD e akuzon për fshehje të një dënimi në vitin 1999, ku sipas akuzave rezultonte i dënuar për ‘armëmbajtje pa leje’.

Malaj thotë se nuk i trembet as 21 janarit dhe as akuzave të PD-së me argumentin se pastërtia e figurës së tij faktohet edhe nga Prokuroria.

Prej 9 vitesh tashmë emri im është lidhur me atë ngjarje tragjike. Emri i një njeriu, i një ish gardisti në krye të detyrës, që refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm, është lidhur në mënyrën më perverse me vrasjen e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, jo nga familjet, jo nga organet e ligjit, por pikërisht nga ata që dhanë urdhër për të qëlluar e më pas shkelën çdo ligj e çdo normë, për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës.

Unë sot, vijoj punën time me kokën lart. Me ndërgjegjen e pastër. Mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku çertifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje? A nuk do duhej që të paktën sot, në 21 janar, së paku të mbyllnin gojën e të ulnin kokën nga turpi për jetët e pafajshme që kanë marrë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën urdhrat e ish kryeministrit dhe të atij që asokohe ishte Ministër i Brendshëm dhe që në çdo vend normal do ishin dënuar jo një, por disa herë, për krime që shkojnë nga vjedhja e korrupsioni e deri tek pastrimi i parave e financimi nga Rusia dhe vrasja? Ajo tragjedi e ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit”, shkruan ndër të tjera Malaj.

Të fundit