Flash News

KRYESORE

PD: Parlamenti po shkel Kushtetutën, Rama kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese

PD: Parlamenti po shkel Kushtetutën, Rama kërkon të kapë

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama, se ka vetëm dy opsione për Gjykatën Kushtetuese, ta kapë atë ose të bllokojë ngritjen e saj.  Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata u shpreh se kreu i qeverisë nuk ka asnjë qëllim të ngrejë institucionet e reja të pavarura të drejtësisë.

“Edi Rama nuk ka për qëllim të respektojë Kushtetutën për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. I vetmi qëllim i Edi Ramës është ai që ka patur prej fillimit - të kapë organet e reja të drejtësisë. Ai po e bën këtë haptazi me Gjykatën Kushtetuese, duke shkelur ligjin dhe kushtetutën në mënyrë flagrante për të paracaktuar anëtarët e rinj të saj, njësoj siç paracakton fituesit e tenderave. Në të kundërt, ai është gati ta bllokojë dhe të fusë në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.”, tha gjata në konferencë për shtyp.

Ai shtoi se i gjithë procesi ka pasur makinacionet e veta teknike të pista, por akti më antikushtetues i tij është emërimi i paracaktuar i anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

“Kushtetuta e Shqipërisë e thotë qartë se për të ruajtur balancën mes pushteteve në Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e saj zgjidhen me radhë, i pari nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë.

Qëllimi prapa qëndrimit antikushtetues të Edi Ramës i shërben atij të kontrollojë sa mundet kush do të jenë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Por jo vetëm kaq. Duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama është përgjegjës për një përplasje të re kushtetuese, që për pasojë do të këtë bllokimin e Gjykatës Kushtetuese nga Edi Rama dhe vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të saj.

Por i gjithë procesi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese është kryer nga KED dhe Ardian Dvorani në shkelje të ligjit, por për të ruajtur integritetin e Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike zgjodhi të mos e politizojë procesin, duke mos i komentuar këto shkelje ligjore me qëllime politike. Tani, me përfshirjen e Parlamentit në shkeljen e hapur të Kushtetutës nga Edi Rama, Partia Demokratike vlerëson se ky akt është i papranueshëm dhe dëmton besimin e publikut tek organet e reja të drejtësisë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese.”, ishte qëndrimi i opozitës.

Të fundit