Flash News

KRYESORE

PD: Prokuroria e Tiranës, vegël politike për mbylljen e aferave korruptive të Veliajt me kompaninë ‘Fusha’

PD: Prokuroria e Tiranës, vegël politike për mbylljen e aferave

Partia Demokratike e ka cilësuar një tregues të dështimit të Reformës në Drejtësi vendimin për mbylljen e dosjes së përfolur të pagesës së hotelit të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës nga kompania private Fusha, apo atë të pishave në autostradë në ngarkim të Erion Veliajt.

Ish deputetja e PD, Dhurata Çupi deklaron se ky fakt tregon se drejtësia është nën kontroll politik.

“Përballë presionit të vetingut dhe dëshirës për t’i shërbyer pushtetit, Prokuroria e Tiranës është kthyer në një vegël politike, duke mbrojtur qeveritarët e korruptuar dhe duke goditur opozitën dhe qytetarët.

Fatura e hotelit të paguar nga Fusha për nënkryetarin e bashkisë 908 euro nata nuk është mohuar nga Bashkia e Tiranës.

Në përpjekje për të fshehur këtë aferë të pistë, bashkia e Erion Veliajt gënjeu hapur, duke thënë se kompania kishte paguar për shpenzimet e udhëtimit, meqë ishte e përfshirë në çmimin për sheshin Skënderbej në Barcelonë! Një supermashtrim!

Partia Demokratike bëri publik dokumentat që vërtetuan se Bashkia e Tiranës gënjente. Erion Veliaj bëri tender 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë me paratë e buxhetit të Bashkisë dhe jo të Fushës.

Duke i shërbyer pushtetit me shpresën se vetingu politiik do ta mbyllë njërin sy për pasuritë dhe vendimet e pajistifikuara te se kaluarës, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur edhe çështjen e pishave të skaduara 12 milionë lekë copa, që Erion Veliaj me kompaninë Fusha blenë për dekorimin e autostradës.

Këto fakte dhe dokumenta janë hedhur në kosh nga Prokuroria Politike e Tiranës, duke rritur zhgënjimin tek qytetarët nga sistemi gjoja i ri i drejtësisë

Është fakt, se edhe pas reformës në drejtësi, edhe pas vetingut, edhe pas të ashtuquajturve ligje KÇK, pushtetarët janë të paprekshëm, korrupsioni në nivele të larta të qeverisë dhe të pushtetit është i paprekshëm!

Kush pyet pse prokuroria mbyll çështjet e zyrtarëve dhe të oligarkëve të korruptuar përgjigjen e merr tek paratë që ata dajnë me pushtetin. Shoqëria Fusha ka marrë mbi 110 milionë euro tendera nga qeveria e Edi Ramës, 40 milionë prej të cilave nga Bashkia e Tiranës.

Paratë me korrupsion, me tendera pa garë, me kosto të fryra përfitimi paligjshëm është përgjigja pse drejtësia sot është e pafuqishme përballë pushtetit të korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës dhe Erion Veliajt”, deklaron ish deputetja.

Të fundit