Flash News

KRYESORE

PD-PS përplasen për plehrat. Klosi: Do bllokohen pikat e grumbullimit. Malltezi: Shëndeti i banorëve, jo si hedhja e zarit në kazino

PD-PS përplasen për plehrat. Klosi: Do bllokohen pikat e grumbullimit.

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vijuar përplasjen për mbetjet në Shqipëri, pas vendimit të qeverisë për të mbyllur më shumë se 100 pika grumbullimi.

Në një dalje për mediat, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi iu përgjigj akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha, duke deklaruar se do të mbyllet çdo pikë grumbullimi për plehrat që është hapur në kundërshtim me kriteret mjedisore dhe pranë zonave të banuara.

 “Këtë aksion e kemi ndërmarrë për të pastruar qytetet tona. Nuk është aksion vetëm në Tiranë, por do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë. Krahas evidentimit të problematikave të këtyre pikave të grumbullimit të mbetjeve, po shqyrtojmë dhe kemi në miratim kriteret e reja. Kjo është edhe një përgjigje për batarenë që mbështet paligjshmërinë. Në fillim erdhi nga Saliu, i cili mbronte guroret e paligjshme në të gjithë Shqipërinë, të cilat po i mbyllim, po i evidentojmë dhe do nxjerrim kriteret e reja mbi të cilat do të zhvillohet biznesi i tyre. Sot erdhi mbështetja e Lulit për pisllëkun e qytetit. Jo! Nuk do të lejojmë as batarenë e guroreve, as papastërtinë që i vjen qyteteve nga guroret, por as luftën kundër zhulit në Tiranë nuk do ta ndërpresim”, tha Klosi.

Kësaj deklarate i është përgjigjur nga selia blu kryetari i Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, i cili u shpreh se është e papranueshme që shëndeti i banorëve të Tiranës të trajtohet nga Ministri i Mjedisit si hedhje zarash në kazinotë e tij të preferuara.

“Ministri i Mjedisit Blendi Klosi, që harxhon më shumë kohë në kazino se në zyrë, doli sot në qytet për të mbrojtur inceneratorët, importin dhe djegien e plehrave. Për Partinë Demokratike është e papranueshme që shëndeti i banorëve të Tiranës të trajtohet nga Ministri i Mjedisit si hedhje zarash në kazinotë e tij të preferuara”, tha Malltezi.

Malltezi u shpreh gjithashtu se kryeministri Edi Rama po përpiqet të përqëndrojë në një dorë industrinë e riciklimit të mbetjeve.

“Afera 178 milionë euroshe e inceneratorëve është një nga aferat më korruptive të qeverisë Rama. Të tre djegësit e plehrave, në Elbasan, Fier dhe Tiranë janë nën administrimin e Klodian Zotos, sekserit të Arben Ahmetajt. Partia Demokratike ka siguruar dokomentacionin e plotë se Klodian Zoto është bërë administrator edhe i kompanisë së riciklimit të mbetjeve në Tiranë. Kjo do të thotë se Edi Rama, duke përdorur kukullën e tij Veliaj, ka përqendruar në një dorë industrinë e ricikilmit të mbetjeve. Sipas kontratës Bashkia e Tiranës, pra Erion Veliaj, është e detyruar ta furnizojë Klodian Zoton me 550 tonë plehra në ditë dhe, nëse nuk e arrin këtë objektiv, do ta paguajë kompaninë me lekët e banorëve të Tiranës. Për pasurimin e vet nëpërmjet inceneratorëve, Edi Rama u ka hequr liçensën 100 bizneseve të riciklimit dhe po lë pa punë mijëra familje. Tani është e qartë përse Edi Rama u bë flamurtar i importit të plehrave, duke mashtruar shqiptarët se ricikluesit do të falimentonin pa lëndë të pare importi”, deklaroi Malltezi.

Të fundit