Flash News

KRYESORE

PD publikon dokumentin grek: Kryebashkiaku i Mallakastrës person me rekorde kriminale, u dënua me 3 vjet

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka publikuar një dokument të prokurorisë greke, ku sipas tij kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është dënuar në Greqi me 3 vjet burg.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi thotë se Ismailaj e ka fshehur këtë dënim në formularin e dekriminalizimit dhe për këtë duhet të shkojë përpara drejtësisë, sipas ligjit në fuqi.

“Njësoj si për Valdrin Pjetrin, Agim Kajmaku, apo Mark Babani, Edi Rama e di se edhe Qerim Ismailaj i Bashkisë së Mallakastrës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe duhet të largohet menjëherë dhe të shkojë përpara drejtësisë!

Edi Rama e di se i përzgjedhuri i tij për Mallakstrën ka probleme me drejtësinë greke, por ai e ka fshehur të vërtetën.

Ky është një fakt që Edi Rama e di shumë mirë, por po përpiqet të blejë kohë për kriminelin tjetër që i është zbuluar në bashki, këtë herë, duke falsifikuar dokumentet shtetërorë, siç është formulari i dekriminalizimit.

Strategjia e Edi Ramës për të mbrojtur kriminelin Qerim Ismailaj me betimin se ai as nuk është i dënuar, as nuk është i dëbuar nga Greqia nuk ka asnjë vlerë. Ajo është një strategji e dështuar, që do të ketë vetëm një përfundim: Edi Rama do të largohet me turp si kryeministri i cili ka vetëm një ofertë për qytetarët e tij: krimin!

Ashtu sikurse premtova dy ditë më parë, sot do të publikojmë dokumente zyrtare dhe të pakundërshtueshme që provojnë se Qerim Ismailaj, është person me rekorde kriminale.

Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000.

Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek.

Sipas ligjit të dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit”, thotë Bardhi.

Kujtojmë se kryebashkiaku i Mallakastrës, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit i ka mohuar këto akuza dhe ka deklaruar se është i hapur për çdo hetim.

Të fundit