Flash News

KRYESORE

PD: Rama po zhvat shqiptarët, 47 milionë euro për inceneratorët fantazmë

Partia Demokratike akuzon qeverinë Rama se po zhvat shqiptarët për t’u pasuruar vetë me ministrat dhe oligarkët e tij.

Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja e PD, Lindita Metaliaj thotë se me skemën korruptive të inceneratorëve, Edi Rama u ka marrë shqiptarëve 47 milionë euro, bashkë me bashkëpunëtorin e ministrit Arben Ahmetaj.

“Vetëm me skemën korruptive të inceneratorëve, Edi Rama u ka marrë shqiptarëve 47 milionë euro, duke i futur ato në xhepat e Klodian Zotos, bashkëpunëtorit të Arben Ahmetajt dhe administrator në tre inceneratorët.

Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë skemë gjigante vjedhjeje është fakti se inceneratorët paguhen miliona euro çdo vit, megjithëse 2 prej tyre as nuk ekzistojnë.

Sipas kontratës korruptive të firmosur nga Edi Rama, inceneratori fantazmë i Fierit ka marrë deri tani 18 milionë euro, ndërsa ai i Tiranës 14 milionë euro.  Këto të fundit as nuk dihet në xhepat e kujt përfundojnë zyrtarisht, pasi kompania është e regjistruar në parajsë fiskale dhe pronari i vërtetë është i panjohur.

47 milionë euro të vjedhura me inceneratorët fantazmë dhe të paktën 8.5 milionë euro vetëm nga koncesioni i check up, që denoncuam dje, janë një pasuri e madhe që, në vend të investohen për shqiptarët, i shkojnë një grushti politikanësh dhe oligarkësh të korruptuar.

Pasurimi i paligjshëm është prioriteti absolut i Edi Ramës dhe mënyra e vetme për të mbajtur pushtetin e tij të paligjshëm. Për Edi Ramën nuk ka asnjë rëndësi që pensionet nuk rriten, pagat nuk rriten, që të rinjtë dhe profesionistët po largohen nga vendi, që ekonomia është në krizë dhe biznesi i vogël lufton për mbijetesë.

Që t’i japim fund kësaj krize, duhet zhbërë pushteti i paligjshëm i Edi Ramës. Antidoti i vetëm për ketë virus janë zgjedhjet e lira e të ndershme, që do t’i japin vendit një qeveri e cila u shërben qytetarëve, duke nisur me anulimin e koncesioneve dhe PPP-ve korruptive, si ky i inceneratorëve”, thotë ish deputetja në deklaratë.

Të fundit