Flash News

KRYESORE

PD reagon pas deklaratës së Sinan Idrizit: Rama të flasë. Kush është biznesmeni që i mori emrin borxh?

PD reagon pas deklaratës së Sinan Idrizit: Rama të flasë.

Sinan Idrizi reagoi ashpër kundër Partisë Demokratike, e cila më herët e kishte akuzuar si personi që do të pastrojë paratë e pista të kryeministrit Edi Rama në aeroportin e Vlorës dhe në linjën shqiptare ‘Air Albania’.

Deputeti Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se Idrizi i ka dhënë emrin borxh Edi Ramës, në mënyrë që ky të sulmojë opozitën me banalitete prej të forti. Alibeaj kërkoi nga Rama që të flasë dhe të tregojë se kush është Sinan Idirzi, si ka vendosur të bëjë biznes me të, nga burojnë paratë e këtij biznesmeni dhe apo pastrohen paratë e pista të familjes Rama te aeroporti i Vlorës dhe ‘Air Albania’.

Reagimi i Enkelejd Alibeaj:

Një farë Sinan Idrizi, që thotë se është biznesmen i madh, pa patur ndonjë biznes që mund ta tregojë, i ka dhënë dje borxh Edi Ramës emrin e tij për të lëshuar banalitete prej të forti ne adresë të Partisë Demokratike.

Neuroza e re, që bashkëpunëtorët ia njohin si “Makthi i Babales”, i shfaqet Edi Ramës sa herë ai kapet nga opozita në afera gjigande korruptive, kriminale dhe klienteliste.

Prandaj, pasi urdhëroi dy televizionet kombëtare të censurojnë opozitën për aferën korruptive të Air Albania, Edi Rama përdori emrin e Sinan Idrizit për të bërë si i fortë duke kërcënuar opozitën me gjyqe dhe burg.

E vërteta është se kompania e Sinan Idrizit u krijua me një fond qesharak vetëm 9 ditë para vendimit të firmosur nga Edi Rama që e bëri Sinan Idrizin pronar në një biznes të përbashkët me qeverinë, siç është biznesi multimilioner i kompanisë ajrore Air Albania.

Përpara se t’i marrë borxh emrin Sinan Idrizit për të kërcënuar me gjuhë banale opozitën, Edi Rama duhet t’u shpjegojë shqiptarëve:

Kush është Sinan Idrizi?

Si vendosi të bëjë biznes me Idrizin?

Me çfarë është marrë në të shkuarën Idrizi dhe prej nga burojnë paratë e tij?

Si vendosi Edi Rama për aksionet që do të marrë Idrizi tek Air Albania?

Sa para do të investojë shteti në Air Albania?

A po investohen tek Air Albania dhe tek Aeroporti i Vlorës para të pista të familjes Rama dhe të ndonjë fondacioni të huaj?

I vetmi reagim i Ramës prej 3 ditësh ishte fletërrufeja me emrin e firaunit të tij Sinan Idrizi që, mesa duket, e bën të ndjehet Pasha të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë.  Por, pas kësaj të djeshmes ne kemi edhe një pyetje tjetër për Edi Ramën:

Shkrimi i fletërrufeve me emrin e Sinanit është i përfshirë në fitimin që do të ndani apo paguhesh ekstra?

Profesioni si shkrues fletërrufesh do t’i shërbejë shumë shpejt, sepse do të vijë dita që Edi Rama, Sinanët dhe firaunët e tij të përgjigjen para drejtësisë për çdo vendim korruptiv për të pasuruar veten e tij në dëm të interesit publik!

Të fundit