Flash News

KRYESORE

PD ripërsërit thirrjen për testime masive: Përvojat më të mira botërore konfirmojne rëndësinë për të mbajtur nën kontroll virusin

PD ripërsërit thirrjen për testime masive: Përvojat më

Partia Demokratike, përmes doktoreshë Mirela Tabakut ripërsëriti nga selia blu rëndësinë e kryerjes së testimeve masive për Covid-19.

Tabaku u shpreh se përvojat më të mira botërore konfirmojne se testimi i zgjeruar është thelbësor për të mbajtur nën kontroll COVID 19.

Ajo i kërkoi qeverisë që të vlerësojë me seriozitet që sa më shumë të zgjasë periudha e testimeve të ulëta, aq më të mëdha do të jenë pasojat në shëndetin e qytetarëve. Po ashtu Tabaku deklaroi se mungesa e testimeve është pohuar si humbje kohe edhe nga kolegët mjekë.

“Kjo masë është e domosdoshme për të ditur situatën reale ku ndodhet vendi, për të realizuar me efikasitet procesin e gjurmimit e me pas izolim dhe trajtim, por edhe si do të veprojme për të parashikuar dhe llogaritur masat shëndetësore, ekonomike, sociale etj. që nevojiten për të përballuar këtë situatë.

Pa dashur të ripërsëris argumentat shkencore për këtë fakt dhe faktet e vendeve me eksperiencat më të mira në këtë pandemi për testimin,  theksoj se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) kanë theksuar se testimi i zgjeruar është thelbësor për të mbajtur nën kontroll COVID 19, për të reduktuar transmetimin e tij, si dhe për të zvogëluar impaktin e tij negativ ne ekonomi, shendet publik dhe aspektin social.

Është momenti që Qeveria të vlerësojë me seriozitet dhe përgjegjshmëri që sa më shumë të zgjasë periudha e testimeve të ulëta, aq më të mëdha do të jenë pasojat në shëndetin e qytetarëve, pasojat ekonomike dhe sociale, që gjithashtu sjellin pasoja ne shendetin mendor dhe fizik te popullatës.

Me keqardhje, edhe si mjeke në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e mi, më duhet të pohoj se kemi humbur shumë kohë duke e mbajtur në minimum numrin e testimeve.  Masat e distancimit social janë të domosdoshme për të ngadalësuar përhapjen, por vlera e mbylljes në shtëpi bie, nëse nuk e dimë se kush është i infektuar. 

Çdo ditë që kalon pa testime masive është një ditë që ndihmon përhapjen e virusit!”, deklaroi Tabaku.

Të fundit