Flash News

KRYESORE

PD sulmon Ramën për reformën zgjedhore: Tallet me OSBE/ODIHR, do të veprojë si në 30 qershor

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi përmes një deklarate për mediat akuzon kryeministrin Rama se nuk ka ndërmend të bëjë një reformë zgjedhore siç OSBE/ ODHIR e kërkon.

Në reagimin e tij, Bardhi thekson se Rama kërkon të ketë kontroll ashtu si në 30 qershor, sistemin zgjedhor në vend.

Më tej Bardhi kujton përgjimet e dosjes 339 në Durrës dhe 184 në Dibër që sipas tij “kanë sjellë fakte të pamohueshme se administrata, në kundërshtim me ligjin”.

Reagimi i Bardhit vjen si përgjigje e propozimit të Partisë Socialiste e cila tha që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit e administratës publike.

Reagimi i Bardhit:

Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë një reformë zgjedhore që garanton lirinë e votës, por vetëm të tallet me OSBE/ODIHR, me Bundetsgun, me shqiptarët. Ai synon të sanksionojë me ligj standardin e 30 Qershorit, ku administroi i vetëm procesin. Këtë qëllim ka edhe propozimi i PS që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit nën varësinë e Edi Ramës.

Administrata publike është e pabesueshme për të administruar një proces zgjedhor me standarde europiane. Raporti i ODIHR-it ka provuar se punonjësit e administratës janë nën presion politik, si dhe është bërë e qartë se ajo është e mbushur me militantë të Partisë Socialiste.

Përgjimet e dosjes 339 në Durrës dhe 184 në Dibër kanë sjellë fakte të pamohueshme se administrata, në kundërshtim me ligjin, është në shërbim të Edi Ramës, në përmbushje të objektivit për të vjedhur zgjedhjet.

Propozimi i Edi Ramës që zgjedhjet t’i administrojnë vartësit e Edi Ramës në shërbimin publik, do të thotë që zgjedhjet të lihen në dorë të Arben Keshit, i cili u përfshi në masakrën elektorale në Dibër, ndërsa ishte Drejtor në Ministrinë e Brendshme; në dorën e Ivo Docit, përgjegjësit të Ujësjellësit, i cili urdhërohej nga Avdylajt për të identifikuar punonjësit që votonin për PD dhe t’i kërcënonte ata me largim nga puna. Lista bëhet e gjatë me dhjetëra e qindra raste të identifikuar edhe nga OSBE/ODIHR, që provojnë se kjo është një administratë thellësisht e politizuar.

Të fundit