Flash News

KRYESORE

Ilaçet e skaduara, PD thellon skandalin: Manastirliu emëron përgjegjësen drejtoreshë të Agjencisë së Barnave

Ilaçet e skaduara, PD thellon skandalin: Manastirliu emëron

Partia Demokratike ka thelluar më shumë skandalin e ilaçeve të skaduara në QSUT.

Deputeti i PD, njëherësh nënkryetar i Komisionit të Shëndetësisë, Bardh Spahia ka denoncuar sërish sot në një deklaratë për mediat se ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka emëruar në krye të agjencisë kombëtare të barnave personin përgjegjës për ilaçet e skaduara në QSUT, Narvina Sinanin, në vend që ta çojë para përgjegjësisë.

Deklarata e plotë:  

Skandali i 93% të ilaçeve të skaduara në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, është vetëm maja e ajsbergut e kalbëzimit nga korrupsioni i sistemit shëndetësor në vend.

E vërteta është se QSUT-ja është kthyer në një kosh plehrash për disa kompani të lidhura me qeverinë, që zbrazin depot e tyre nga ilaçet në prag skadence, duke ia dhuruar gjoja Spitalit, për të kursyer qindra milionë lekë për asgjësimin e tyre.

Këtë proces të kushtueshëm e ka marrë përsipër Ogerta Manastirliu, Ministrja që hesht dhe nuk tregon se kush ka përfituar nga depozitimi i ilaçeve të skaduara në QSUT dhe sa prej këtyre ilaçeve janë përdorur për pacientët.

Ogerta Manastirliu e ka thelluar edhe më tej skandalin.

Drejtoreshën e Farmacisë së QSUT-së, Narvina Sinani, person direkt përgjegjës për skadimin e ilaçeve, e ka emëruar Drejtoreshë të Agjencisë së Barnave, e cila përgjigjet për sigurinë e ilaçeve në të gjithë vendin.

Çfarë sigurie mund të kenë ilaçet kur tek e njëjta Agjenci, personi përgjegjës për kontrollin e farmacive është emëruar një stomatologe, e paliçensuar për të kryer detyrën e garantimit të popullatës për sigurinë e barnave?!

Sot çdo shqiptar dëshmon se shumica e ilaçeve nuk kanë asnjë efekt dhe se ata i blejnë sa të munden në vendet e sigurta të Bashkimit Europian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Korrupsioni dhe klientelizmi janë shndërruar në faktorët kryesorë që rrezikojnë jetën e qytetarëve nga ilaçet e skaduara, ilaçet e pasigurta apo atyre të falsifikuara që kanë hyrë në Shqipëri me vendim qeverie për të pasuruar një grusht klientësh të Mafias së Ilaçeve.

Të fundit