Flash News

KRYESORE

PDK kundër marrëveshjes me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë: Kosova humbi shansin për njohje të ndërsjelltë

PDK kundër marrëveshjes me Serbinë në Shtëpinë e

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë kundër marrëveshjes Kosovë- Serbi të arritur në Shtëpinë e Bardhë, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Përmes një reagimi zyrtar, PDK thekson se përmes firmosje së këtij pakti, Kosova humbi sot shansin një marrëveshje përfundimtare që do të sillte një njohje të ndërsjelltë.

“Çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë, që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri, dhe nuk sjell zgjidhje në raportet mes dy vendeve”, shkruhet në reagimin e PDK-së, duke theksuar se:"Nuk ka negociata me territore e as me pasurinë tonë kombëtare."

Reagimi i plotë i PDK:

PDK: Delegacioni kosovar humbi shansin për marrëveshje finale që siguron njohjen e ndërsjellë dhe ulësen në OKB

4 Shtator 2020 – Partia Demokratike e Kosovës e sheh me shqetësim të madh shansin e humbur nga delegacioni kosovar për marrëveshje finale të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë që duhej të ndodhte sot në Washington.

Çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë, që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri. Aq më tepër, deri në këtë moment, nuk është bërë publike përmbajtja e marrëveshjes.

PDK-ja që nga fillimi ka qenë e bindur se përfshirja e SHBA-së në procesin e përmbylljes së dialogut mes Kosovës e Serbisë është e domosdoshme, por marrëveshjet që nuk parashohin njohje të ndërsjellë, nuk ofrojnë zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Për më tepër, është edhe më e rëndë në qoftë se ka cënim të Kushtetutës, sovranitetit dhe interesave strategjike të Kosovës.

Nuk ka negociata me territore e as me pasurinë tonë kombëtare.

Qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe mbetet, se në Ëashington dhe Bruksel të shkohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që garanton njohje të ndërsjellë, ulësen në OKB dhe nuk e cënon integritetin territorial të vendit.

Të fundit