Flash News

KRYESORE

PE letër Angela Merkel për liberalizimin e vizave në Kosovë brenda 2020-ës

Deputetët e Parlamentit Evropian i kanë dërguar një letër kancelares gjermane Angela Merkel, përmes së cilës i kërkojnë që të vendosë në axhendë të Këshillit Evropian çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK Demush Shasha dhe eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, duke bashkëngjitur edhe dokumentin me nënshkrimet e deputetëve.

“Dje, 33 anëtarët e Parlamentit Evropian nga katër grupe më të mëdha parlamentare të Parlamentit Evropian i kanë shkruar Kancelares Merkel dhe Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë  Seehofer që të sigurojnë se vendimmarrja për liberalizim të vizave për Kosovën të përfundohet brenda vitit 2020 në kuadër të Presidencës Gjermane.

Ky është shembulli se si duhet të bashkëpunojmë me miqtë e Kosovës sikur Eurodeputetja  Viola Von Cramon-Taubadel për të realizuar interesat e qytetarëve, e jo duke humbur kohë me mesazhet e kota nëpër Tëitter që vetëm izolojnë Republikën e Kosovës edhe më tuje nga miqtë ndërkombëtar”, ka shkruar Shasha, që sipas tij për katër  ditë do hapet dritarja më e mirë gjashtë mujore për të siguruar liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, që nga viti 2016.

“Në veçanti në këto gjashtë muaj, spektri politik në Kosovë duhet të tregoj vullnetin dhe përgjegjësinë politik për të siguruar përfundimin e izolimit të qytetarëve të Kosovës”, theksoi ai, duke shtuar se nëse e Kosova e humb edhe këtë mundësi për liberalizimin e vizave, do hyjë në një stad të pa parashikueshëm. “Po e humbëm mundësinë e liberalizimit vizave edhe në gjashtë muaj të ardhshëm të Presidencës Gjermane, liberalizimi i vizave do hyn me një stad të pa parashikueshëm”.

Gjermania pritet të marrë udhëheqjen e Këshillit Evropian që nga 1 korriku.

Deputetët shprehen se Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe tash i takon BE-së që të përmbush pjesën e saj të obligimit.

Reagon Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas këtij lajmi, ku shkruan: Faleminderit deputetëve të Parlamentit Evropian për letrën drejtuar Kancelares Merkel, ku i kërkojnë që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të vihet në agjendë gjatë Presidencës së BE-së nga Gjermania që fillon më 1 korrik 2020.

 

Të fundit