Flash News

KRYESORE

Pëllumb Xhufi feston 69-vjetorin, Rama i bën mesazh urimi; këshillë albanologëve të ardhshëm: Ndiqni shembullin e këtij djaloshi me thinja

Pëllumb Xhufi feston 69-vjetorin, Rama i bën mesazh urimi;

Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, feston sot 69-vjetorin e lindjes. Përmes një urimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama përmend vlerat e historianit për histografinë, duke shtuar se ai është një njeri i rrallë dhe shembull për t’u ndjekur nga nga të rinjtë e Albanologjisë dhe të shkencave humane.

Sipas Ramës, Pëllumb Xhufi është një  “pikë referimi për historiografinë e ngatërruar mes Perëndimit dhe Lindjes”, “njohës rigoroz i gjuhëve dhe paleografive të vjetra padyshim, por edhe njohës i ditur dhe vëzhgues i mprehtë i skutave të labirinthit të diplomacisë në gjatësinë e disa shekujve.”

E për ta përmbyllur urimin, Rama iu drejtohet me një apel më tepër në formën e një këshille studentëve të Albanologjisë, ndërsa shprehet: “Mësoni sa më shumë dhe ndiqni shembullin e këtij djaloshi me thinja.”

Mesazhi i Ramës:

#EDHE100💐

PËLLUMB XHUFI, që sot mbush plot 69 vjet që nuk duken në portretin e tij prej djaloshi të thinjur, hyn padyshim ndër ata lëvrues të mirë të penës shqipe në lëmin e historisë, të cilët kanë vizatuar me përkushtim e kompetencë të spikatur rrugët e njohjes së të shkuarës së trazuar të këtij vendi.

Ai është një pikë referimi për historiografinë e ngatërruar mes Perëndimit dhe Lindjes, kontekstualizimin në këto dy botë të gjenezës historike të veçantë dhe përkatësive të shumëfishta të kombit shqiptar. Njohës rigoroz i gjuhëve dhe paleografive të vjetra padyshim, por edhe njohës i ditur dhe vëzhgues i mprehtë i skutave të labirinthit të diplomacisë në gjatësinë e disa shekujve, Pëllumb Xhufi ka aftësinë e spikatur të të treguarit të së shkuarës me gjuhën e të tashmes, përmes një pedagogjie hulumtimi që u jep bashkëkohësve pika referimi për të kuptuar dinamikën e “lojës” diplomatike, sidomos në momentet kur e shkuara ngre krye si aktualitet i debatueshëm.

“Përkthyes” i palodhur i dilemave të Arbërit, Pëllumb Xhufi ka një aftësi mbresëlënëse për të interpretuar rebuset e historive të vogla të Ballkanit, të njerëzve, komuniteteve, ngjarjeve të kohëve shumë të shkuara, duke na e lehtësuar vështrimin përtej mjegullave ballkanike, të cilat vazhdojnë të ushqejnë gjithëfarë gjysëm të diturish e sharlatanësh të mexhelisit të zhurmshëm shqiptar. Ai di të na e tregojë me goxha saktësi vendin që zënë bijtë e shqipes në historinë e tyre, të historinë e rajonit a të botës me të cilën u përzien, ata më të moçmit e ata më të afërtit me ne në kohë. Dhe më e pakta që mund të thuhet është që kjo nuk është pak, sidomos po të mbash parasysh pazarin e gjullurdisshëm të historiografisë shqiptare të dekadave që pasuan periudhën e gjatë e të zymtë, të historisë së shkruar sipas qejfit nga fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. “Arbërit e Jonit”, “Shekulli i Voskopojës”, “Ikje nga Bizanti”, “Nga Paleologët te Muzakajt”, apo “Skënderbeu: Ideja dhe ndërtimi i Shtetit”, e të tjera akoma, përbëjnë një afresk të hatashëm në kapelën e tempullit të historiografisë shqipe.

E fundit po jo për nga rëndësia, personaliteti i Pëllumb Xhufit, meriton respekt edhe për tiparin e konseguencës qytetare, të cilën as politika aktive ku ai u përfshi për disa vite me instiktin e patriotit dhe me edukatën e shërbëtorit publik, nuk e zhbëri dot. Duke i uruar ditëlindjen dhe duke uruar që të tjera pjesë t’i shtohen afreskut mjeshtëror që ai ka krijuar, uroj me këtë rast që më të rinjtë në moshë e në rrugën e ndërlikuar të Albanologjisë e të shkencave humane, të mësojnë sa më shumë e ta ndjekin shembullin e këtij djaloshi me thinja.

#TëRRALLË

 

Të fundit