Flash News

KRYESORE

Përçarja brenda kishës ortodokse, ambasadori rus takon kryepeshkopin Janullatos

Përçarja brenda kishës ortodokse, ambasadori rus takon

Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandar Karpushin ka zhvilluar një takim me kryepeshkopin Anastas Janullatos. Ambasada ruse njofton se në takim është diskutuar mbi bashkëpunimin midis kishave  orthodokse të Rusisë dhe Shqipërisë, por pa dhënë më shumë detaje.

“Ambasadori Karpushin zhvilloi sot një takim me Primatin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij Anastas. Gjatë bisedës u diskutuan disa çështje në lidhje me bashkëpunimin midis kishave vëllazërore orthodhokse të Rusisë dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Ky takim zhvillohet në një kohë kur autoqefalia e Kishës Ortodokse Ukrainase ka futur në krizë të thellë marrëdhëniet midis Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës dhe Kishës Ortodokse Ruse. Vendimi i Patriarkut Bartolomeu I për t’i dhënë autoqefalinë kishës ukrainase është kritikuar ashpër nga Patriarku i Moskës, Kirill, i cili ka pezulluar marrëdhëniet me Konstandinopojën dhe ka paralajmëruar  se do të shkëpusë çdo lidhje eukaristike me Patriarkanën. Në thelb kjo është skizmë brenda ortodoksisë, e cila vuan prej vitesh kriza shumëplanëshe.

Kisha Ortodokse Shqiptare nuk është shprehur ende publikisht për qëndrimin që do të mbajë mbi këtë çështje, ndërkohë që kryepeshkopi Janullatos konsiderohet si lider me ndikim dhe i afërt me Patriarkun e Konstandinopojës.

Të fundit