Flash News

KRYESORE

Përfundon 40 min pas mesnate radha e gjatë në Kakavijë, 3325 shtetas të kaluar brenda 24 orëve; Xhaçka: Mirënjohje!

Ka përfunduar 40 minuta pas mesnate operacioni për kalimin drejt tokës greke të shtetasve shqiptar të bllokuar në pikën kufitare të Kakavijës. Pas negociatave midis autoriteteve shqiptare me ato greke, sportelet në pikën kufitare kanë vijuar punën ditën e djeshme me kapacitet të plotë deri rreth orës 00:40.

Përmes një njoftimi Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 24 orëve të fundit, në Kakavijë kaluan 3325 shtetas dhe 1629 mjete. Ministrja Xhaçka, po ashtu, ka shprehur mirënjohjen për të gjitha strukturat e angazhuara në këto ditë të vështira, ndërsa thekson se me këmbëngulje, gurim dhe punë në grip ia dolën.

“Live nga Kakavija, ku përfundoi procedura e kalimit për qytetarët e fundit. Mirënjohje të thellë për të gjitha strukturat e angazhuara në këto ditë të vështira. Mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, mjekëve e infermierëve dhe drejtues e punonjës të pushtetit vendor, të cilët me këmbëngulje, durim e punë në grup ia dolën!”, shkruan Xhaçka.

Kujtojmë se, duke filluar nga sot do të hyjnë në fuqi rregullat e reja për të kaluar në Greqi. Përveç testit të koronavirusit, që duhet të jetë kryer 72 orët e fundit, qytetarëve do t'ju kërkohet edhe aplikimi për të kaluar në kufi.

Po ashtu, do të aplikohet sërish kalimi i një numri të limituar personash, 750 në Kakavijë dhe 300 në Kapshticë, dhe të gjithë ata që do të kalojnë do të duhet të karantinohen një javë pas kthimit në shtetin grek. Këto masa sigurie kanë hyrë në fuqi nga ora 06:00 e mëngjesit të sotëm.

Të fundit