Flash News

KRYESORE

Përfundon pa konsensus pas 5 orësh diskutime mbledhja e Këshillit Politik; Opozita propozim me 6 pika, Gjiknuri: Ky është një sabotim i procesit

Ka përfunduar pas 5 orësh diskutime mbledhja e Këshillit Politik, pa arritjen e një konsensusi mes palëve për hapjen e listave apo koalicionet parazgjedhore.

Mbledhja është zhvilluar me tone të ashpra, ku mësohet të ketë pasur përplasje mes përfaqësuesit të mazhorancës, Damian Gjiknuri, dhe përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Opozita propozoi hapjen e listave 100%, pa ndryshime të tjera në formulën e koalicioneve dhe shpërndarjes së mandateve.

Gjatë mbledhjes opozita jashtëparlamentare ka propozuar amendament kushtetues për hapjen e listave 100 %, duke thënë se për arritjen e kësaj duhet vetëm të shfuqizohet në nenin 68 të kushtetutës vetëm fjalia e tretë e pikës 1 dhe nuk ka më nevojë për prekjen e Kushtetutës, i cili thotë se:

“Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.”

Opozita jashtëparlamentare kërkon që të shfuqizohet fjalia e tretë e këtij neni: "Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës", gjë e cila do të mundësoi hapjen e listave pa pasur nevojë për ndërhyrje të tjera dhe ndryshime kushtetuese.

[caption id="attachment_402163" align="alignleft" width="960"] Propozimi me 6 pika i opozitës së bashkuar në Këshillin Politik[/caption]

Ndërsa ky propozim i saj është cilësuar si asgjë e re nga ana e Gjiknurit, i cili u shpreh se qëllimi i vetëm i saj është bllokimi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

“Oferta e tyre nuk ofron kompromis, por kërkesa e tyre është një sabotim për këtë proces që sapo ka nisur. Doli e qartë dhe ndryshimet kushtetuese nuk pengojnë hapjen e listave dhe atë të koalicioneve dhe e dyta në frymën e bashkëpunimit të marrëveshjes së 5 qershorit jemi të hapur për tu ulur me PD-në për të vendosur se si do të hapen listat dhe si do të formohen koalicionet. Fatkeqësisht ato nuk po gjejnë atë model për të mbajtur koalicionet, nuk kanë asnjë model të vendeve evropiane dhe u kemi thënë që të gjejnë një model të tillë”, tha Gjiknuri.

Të fundit