Flash News

KRYESORE

Përgënjeshtrim dhe një pyetje: Endira, kur thua gjyq, e ke fjalën për "Shihemi në gjyq" të Eni Çobanit?!

Përgënjeshtrim dhe një pyetje: Endira, kur thua gjyq, e ke

Endira, nuk bëhet fjalë për personazhin e 'Antenës' së Meros, ka vendosur të hedhë në gjyq Politiko.al, portalin të cilin unë drejtoj.

Unë jam Alfred Lela; që Endira quan 'njëfarë'.

Po ta kishte lexuar me kujdes tekstin e 'Politiko', duhet ta kishte parë se i referohej një media tjetër.

Ndërkohë që më përgatit fletëthirrjen, unë them të mos lodhet: të pyesë çunat e sajtit nga ku ne e kemi 'huazuar' se nga e morën regjistrimin. I cili, si për çudi, fillon dhe mbyllet me fjalën e saj. Pra është 'i qepur' me porosi.

Dy gjëra nuk mund të mohohen: Politiko.al nuk ka publikuar (me logon e saj) asnjë regjistrim nga mbledhja e kryesisë së PD. Do të thotë: Asnjë burim i politiko.al, të cilët në PD nuk janë pak, nuk ka regjistruar apo qarkulluar një të tillë. Sepse asnjë prej tyre nuk ka patur qëllim të merrej me një gjest të tillë.

Njerëzit që kanë regjistruar, kuptohet kush janë edhe nga mediat te të cilat i kanë çuar. Këto afinitete mjaftojnë për të bërë lidhjen, identikitin dhe përfundimin.

Siç nuk mund të mohohet as tjetra: Fakti që Endira, Valbona dhe Genti (jo Strazimiri) kanë qenë ngjitur me njëri-tjetrin. Thonë burimet. Të cilat shtojnë se Endira ka qenë shumë e preokupuar dhe e shqetësuar me celularin e saj gjatë gjithë mbledhjes. Ndoshta ka patur aty të ruajtur fjalën që mbajti në Kryesi(!!).

E cila (ndiqni audion) dëgjohet aq qartë. Gjë që tregon afërsi të folësit me mjetin regjistrues.

Ta zëmë, sa për të sajdisur argumentin, se regjistrimi nuk është i Endirës. A e di Endira kush e ka bërë?  

Endira kujton se Yndyra e triumfit del në krye me anë të një përballjeje juridike. Endyra e kësaj pune spastrohet, në fakt, me një qëndrim etik. Nëse Politiko.al ka bërë një shkelje etike duke e akuzuar, mbështetur në burime të pasakta, kjo sigurisht zgjidhet me gjyq. Endira duhet të sjellë telefonin e vet, unë timin, bashkë me prova të tjera.

Vetëm njëra palë del e humbur ligjërisht. Duke njohur ngadalësinë burokratike të sistemit, ndoshta pas nja një viti, njëri gëzohet.

Kjo nuk ndryshon asgjë në atë që dëgjojmë e shohim tani: skuthët me çimka përgjuese në xhepa që turren për profite politike ngaqë nuk kanë as ide dhe as mbështetje.

Edhe një pyetje Endira: kur thua 'do të të hedh në gjyq!', nuk e ke fjalën për 'Shihemi në gjyq' të Eni Çobanit?!

 

P.S. Ky tekst është edhe përgënjeshtrimi, edhe mbrojtja ime në 'gjyq'.

Politikisht jokorrekt,

Alfred Lela

Politiko.al

Të fundit