Flash News

KRYESORE

“Përgënjeshtro lajmin”, Zëri i Amerikës i përgjigjet Gjonajt: S'tërhiqemi, faktet janë bazuar nga një dosje hetimore me përgjime 

“Përgënjeshtro lajmin”, Zëri i Amerikës i

Zëri i Amerikës i është përgjigjur ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila një ditë më parë kërkoi përgënjeshtrimin e lajmit, sa i takon publikimit të bisedave të përgjuara mes ish-drejtorit të arrestuar të Burgjeve Arben Çuko dhe disa deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, ku këta të fundit kërkojnë favore punësimesh ose transferimesh.

“Shpreh keqardhjen që e gjithë kjo përbaltje tërësisht e pabazë, duke pasur në vëmendje disa përgjime, bëhet nga “Zëri i Amerikës” ndërkohë që do të duhej po nga kjo media, të bëhej një kërkim më profesional, të kërkohej edhe opinioni ynë me qëllim që të vinim në dispozicion pikërisht këtë dosje të konkurrimit të zhvilluar nga Akademia e Sigurisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për të krahasuar atë çfarë ka dalë nga lista e Akademisë, pikërisht me urdhrat e emërimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për çdo institucion dhe më pas të shihej nëse këto dokumente përputheshin apo jo. Dhe njëherë shpreh gatishmërinë time dhe të institucionit që drejtoj, por njëkohësisht edhe Drejtorisë së Policisë së Burgjeve për të vënë në dispozicion dosjen e rekrutimeve dhe të urdhrave të emërimit dhe çdo dosje të personave të cilët janë emëruar në sistemin e burgjeve, por njëkohësisht kërkojmë, për shkak se nuk do ndjekim rrugën gjyqësore për ta kërkuar këtë, përgënjeshtrimin e këtij lajmi të rremë që ka cënuar integritetin e disa personave dhe ka goditur pa bazë qeverinë”, u shpreh ndër të tjera Gjionaj, ndërsa VOA i është përgjigjur duke theksuar se kronika e saj është korrekte dhe se është i bazuar mbi faktet që burojnë nga një dosje hetimore me përgjime të një ish zyrtari të lartë të shtetit, aktualisht nën hetime për korrupsion.

“Zëri i Amerikës i qëndron raportimit të tij, i cili është i bazuar mbi faktet që burojnë nga një dosje hetimore me përgjime të një ish zyrtari të lartë të shtetit, aktualisht nën hetime për korrupsion. Në komunikimet e tij me funksionarë shtetërorë dhe deputetë, ish-drejtori i burgjeve u përgjigjet kërkesave dhe interesimit të tyre për të marrë në punë persona të caktuar, apo për të sistemuar të tjerë në vende të tjera pune.

Zëri i Amerikës, ka konfirmuar kryerjen e bisedave edhe me zyrtarët që dalin në përgjime. Ndonëse në përgjigjet e tyre ata e justifikojnë arsyen e marrjes në telefon të drejtorit të burgjeve, kushdo mund t’i shohë e t’i lexojë përgjimet dhe të nxjerrë konkluzionet përkatëse nga konteksti i tyre, nëse bëhet fjalë për një proces etik, profesional dhe të rregullt të marrjes në punë, apo nëse ato janë vetëm një provë e asaj që besohet gjerësisht se në Shqipëri ngritja e një administrate profesioniste është ende një sfidë e vështirë, për shkak edhe të ndërhyrjeve të tepruara të politikës.

Në vetë daljen e saj zonja Gjonaj konfirmon ato që janë thënë në bisedat e përgjuara, se Kryeministri e kishte bllokuar përkohësisht listën. Fakti, që siç u shpreh zonja Gjonaj, Kryeministri ka bllokuar “jo listën e konkurrimeve, por listën e ndërhyrjeve”, provon pikërisht problemin që ngre raporti i Zërit të Amerikës, ekzistencën e ndërhyrjeve të shumta”, shkruan ndë rtë tjera Zëri i Amerikës, në përgjigje te ministres së Drejtësisë.

Të fundit