Flash News

KRYESORE

Përgjimet e “Bild”, BD mesazh qeverisë: Larg duart nga zgjedhjet në Qarkun e Durrësit

Partia Bindja Demokratike shpreh shqetësimin në lidhje me përgjimet e publikuara nga tabloidi gjerman “Bild” mbi fushatën e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit. Sipas këtij subjekti politik, mekanizmi korruptiv dhe kriminal për deformimin e votës, i përdorur në zgjedhjet e shkuara, është ende aktiv.

“Në qendër të skandalit është kryetari në detyrë i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ose hierarku më i lartë i Partisë Socialiste në gjithë qarkun. I cili, sipas të gjitha të dhënave tona, është edhe propozuesi i kandidaturave për kryetar bashkie në Durrës dhe në Shijak.

Fakti që në vend të Dakos është caktuar një grua shumë e afërt me të, nuk e bën aspak më të qetë dhe më normale garën për Bashkinë e Durrësit.

Ndërkohë, kandidati i Partisë Socialiste për Shijakun, Elton Arbana, është një ndër personazhet kryesorë që kanë dalë në përgjimin e publikuar nga prestigjiozja gjermane, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi fushatën që do të zhvillohet në këtë qytet.”, thuhet në reagimin e partisë Bindja Demokratike.

Kjo parti paralajmëron qeverinë që të mbajë larg duart nga zgjedhjet e 30 Qershorit në qarkun e Durrësit dhe kudo tjetër në Shqipëri. Gjithashtu, BD fton partnerët ndërkombëtarë dhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it që të rrisin vigjilencën dhe ta trajtojnë këtë qark si një zonë me risk të lartë manipulimi.

Të fundit