Flash News

KRYESORE

Përkeqësimi i situatës nga pandemia, Meta thirrje urgjente qeverisë: Nevojitet strategji konkrete, jo sporadike dhe mediatike

Përkeqësimi i situatës nga pandemia, Meta thirrje urgjente

Presidenti Ilir Meta ka apeluar instancat shtetërore se nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së virusit covid-19, pas rritjes alarmante të rasteve të infeksionit, por edhe humbjet e jetëve në tri javët e fundit.

Meta thekson se është i domosdoshëm një komunikim edhe më intensiv me vendet e rajonit dhe ato të BE, si dhe me OBSH, për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale për orientimin e një strategjie që lejon daljen sa më të sigurtë dhe të shpejtë nga pandemia.

“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19, veçanërisht të numrit të viktimave, krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe të karantinës, kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe transparent.

Nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së kësaj pandemie që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Gjithashtu, është i domosdoshëm një komunikim edhe më intensiv me vendet e rajonit dhe ato të BE, si dhe me OBSH, për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale për orientimin e një strategjie që lejon daljen sa më të sigurtë dhe të shpejtë nga pandemia.

Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur, si dhe duke ju uruar shërim sa më të shpejtë gjithë të prekurve, theksoj domosdoshmërinë për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore dhe masave parandaluese.

Është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të këtyre masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirës dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare.

Në veçanti është e domosdoshme të rritet besueshmëria e menaxhimit të pandemisë, tani kur po hyjmë në pikun e sezonit turistik, në mënyrë që të përfitojmë maksimalisht prej tij”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Lexo edhe: Bilanci i 24 orëve të fundit: Dy viktima dhe 64 të prekur me covid-19 në Shqipëri, sa janë të shtruar në Infektiv

Të fundit