Flash News

KRYESORE

Përkohësisht edhe pa Gjykatë Kushtetuese; Mazhoranca nuk nxitohet si me kryeprokurorin. Ulsi Manja bën një lapsus të qëllimshëm

Përkohësisht edhe pa Gjykatë Kushtetuese; Mazhoranca nuk nxitohet

Gjykata Kushtetuese është në ngërç për shkak se disa nga anëtarët e saj kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa në përbërje ka edhe gjykatës që u ka mbaruar mandati.

Sipas kryetarit të Komisioneve të Ligjeve, Ulsi Manja, shkak për këtë situatë është bërë vetting-u i munguar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED). Ky organ u zgjodh pa vetting, por që të mblidhet dhe të propozojë kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese, duhet t’i nënshtrohet fillimisht vetë vetting-ut.

Kjo situatë është e ngjashme me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, kur në mungesë të krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorsië, organi përgjegjës për propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, mazhoranca vendosi ta zgjedhë me shumicë të thjeshtë votash.

I njëjti precedent mund të zgjidhej edhe për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, por mesa duket ky institucion nuk përbën përparësi për interesat e mazhorancës.

Deputeti i PS, Ulsi Manja u përpoq të justifikonte dy standardet e mazhorancës me kryeprokurorin dhe anëtarët e Kushtetueses.

“Është e qartë në Kushtetutë kjo, KED i nënshtrohet menjëherë vetting-ut, çka do të thotë anëtarët e KED duhet të kalojnë procesin e vetting-ut para se të bëjnë filtrin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, qoftë të kandidaturave të Presidentit, qoftë të atyre që çon Kuvendi. Edhe për Prokurorin e Përgjithshëm Kushtetuta ka folur shumë qartë, i nënshtrohet me përparësi vetting-ut, jo menjëherë. Ka bërë të qartë dallimin ça do të thotë fjala “menjëherë” dhe “me përparësi”. Për anëtarët e KED është shkruar e zeza mbi të bardhë, i nënshtrohen menjëherë vetingut”, u shpreh Manja.

Por deputeti socialist mesa duket bën një lapsus të qëllimshëm kur barazon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) me Prokurorin e Përgjithshëm, pasi një krahasim i tillë duhej të bëhej me Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

KED dhe KLP janë organet përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorin e Përgjithshëm.

Vetë Kushtetuta nuk bën dallime kur vjen puna te vetting-u për Prokurorin e Përgjithshëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Në nenin 179/, pika 3, thuhet: “Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët  duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë i nënshtrohen rivlerësimit (vetting-ut) ex officio.”

Pra është e qartë se krahasimi i Ulsi Manjës për KED dhe Prokurorin e Përgjithshëm nuk qëndron sepse simotra e KED është KLP.

Arsyet se përce mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama nuk ka vendosur të aplikojë edhe në këtë rast precedentin e Arta Markut, mbeten për t’u sqaruar./Politiko.al

Të fundit