Flash News

KRYESORE

Përmbytja e autostradës, Prokuroria: U shkaktua nga ‘City Park’, por nuk e ndjekim dot penalisht

Përmbytja e autostradës, Prokuroria: U shkaktua nga ‘City

BIRN raport se, Prokuroria e Tiranës ka evidentuar kompaninë ‘City Park’ si shkaktarin e përmbytjes së 30 nëntorit 2017, në superstradën Tiranë-Durrës, por për shkak se ndërhyrjet që kanë sjellë ndryshimin e rrjedhës së përroit të Limuthit – e për pasojë bllokimin e shkarkimit të ujërave në të, janë kryer në vitin 2009, vepra penale është parashkruar dhe për të dëmtuarit, e vetmja mundësi për t’u dëmshpërblyer është nisja e proceseve gjyqësore civile.

Në kërkesën e pushimit të procedimit të prokurorisë thuhet se, më datë 8 dhjetor 2018, është kryer një këqyrje e përgjithshme e përroit të Limuthit, nga kufiri i “City Park”, tek tombinat e parkingut të këtij objekti dhe në tombinat e parkimeve të godinave të tjera, si dhe në urat e rrugës dytësore të ndërtuara para viteve ’90.  Në anën lindore hetuesit kanë konstatuar një ndërtim që ka bllokuar gjysmën e përroit të Limuthit në këtë segment.

Bazuar në ekspertimet dhe këqyrjet e kryera Prokuroria ka arritur në konkluzionin se përmbytja është shkaktuar nga dëmtimi i tombinës së vendosur nga shoqëria “City Park” jashtë kritereve teknike, ku ka sjellë si pasojë përveç dëmtimit të rrugës, edhe bllokimin me inerte të gjysmës së tombinos. Sipas prokurorisë, mosmarrja e masave për pastrimin e tombinos para reshjeve masive, ka sjellë përmbytjen e gjithë zonës përreth, për shkak se uji nuk ka pasur rrugë kalimi dhe është kthyer mbrapa duke përmbytur edhe vetë ambientet e jashtme të shoqërisë “City Park”.

Por, pavarësisht se prokuroria ka identifikuar shkaktarin e përmbytjes së 30 nëntorit 2017 dhe pasojave të saj, ka argumentuar se duke pasur parasysh se nga viti 2009, kur është kryer ndërtimi pa leje deri në momentin e hetimit kanë kaluar më shumë se 5 vjet, bazuar në nenin 66 pika (c) e Kodit të Procedurës Penale “Parashkrimi i veprës penale” nuk mund të bëhet ndjekje penale ndaj personave përgjegjës, pasi dënimi i tyre mund të jetë deri në 5 vjet heqje lire ose me gjobë.

Në vendimin e kërkesës për pushim të hetimit, sugjerohet se pavarësisht parashkrimit të veprës penale, personat e dëmtuar mund të kryejnë padi civile për të kërkuar dëmshpërblimin e dëmit apo të fitimit të munguar, bazuar në Nenin 608 të Kodit Civil.

*Marrë me shkurtime nga ‘Reporter.al’

Të fundit