Flash News

KRYESORE

Përmendja e Saimir Manes dhe Shefqet Kastratit, Basha i përgjigjet Ramës: Nuk janë garanci e së mirës, të bëjnë transparencë për koncesionet

Përmendja e Saimir Manes dhe Shefqet Kastratit, Basha i përgjigjet

Kryeministri Edi Rama përmendi emrat e biznesmenëve më të fuqishëm në vend, Saimir Mane, Shefqet Kastrati, Ram Geci dhe Bashkim Ulaj, si replikë ndaj akuzës së kryeopozitarit Lulzim Basha se projekti 1 miliard euro është në shërbim të pastrimit të parave.

Por Basha iu përgjigj kryeministrit se nuk mund t’i ikë dot të vërtetës duke ngritur në piedestal 5 biznemenë, të cilët i konsideronte katër vite më parë si anëtar të oborrit të Sali Berishës. Duke refuzuar të përmend emra të përveçëm, Basha kërkoi që këta biznesmenë të bëjnë transparencë për koncesionet dhe lejet e ndërtimit që kanë marrë, pasi askush nuk është garanci e përjetshme e së mirës.

“Përgjigjja që të vjen nga Këshilli i Evropës është se këto para po pastrohen nga një grusht njerëzish që janë të vetmit që përfitojnë. Si po i pastrojnë paratë e drogës? Kryesisht në sektorin e ndërtimit. Statistikat t’i thonë qartë, ekonomia është në rënie, por kërkesa për leje ndërtimi dyfishohet, ndërsa kredia për ndërtimin zvogëlohet. Nuk ka nevojë të jesh shkencëtar për ta kuptuar se me çfarë para po ndërtohet. Kjo është e vërteta dhe kësaj t’i nuk i ikën dot sado pirueta të bësh sot këtu, me fyt të largur apo fyt të tharë. Nuk i largohesh dot as duke ngritur në piedestal 5 individë që deri para 4 vitesh i quaje anëtar të oborrit të Saliut. Tani ndaje mendjen, janë të oborrit të Saliut, janë të oborrit tënd? Thuaja Braçes dhe socialistëve, për mua është e qartë, unë nuk merrem me asnjë emër të përveçëm. Asnjë emër i përveçëm nuk mund të jetë as garanci e përjetshme e të mirës dhe as mjaftueshëm për ta njollosur për jetë. Por askush nuk duhet t’i shpëtojë transparencës për asnjë koncesion dhe për asnjë leje ndërtimi, sepse ky buxhet është buxheti i pastrimit të parave të krimit. Ky është projekti 1 miliard, pastrimi i parave të pista”, u shpreh Basha në Kuvend.

Të fundit