Përplasja me molotov dhe gaz lotsjellës në Astir, disa banorë dhe policë përfundojnë në spital

Dhjetëra banorë të Astirit janë shoqëruar në komisariat pas përplasjes me policinë që në orët e para të mëngjesit, për shkak të nisjes së aksionit të IKMT-së për shembjen e banesave, që do t’i hapë rrugë ndërtimit të aksit të Unazës së Re.

Për shkak të përplasjeve me molotov dhe gurë prej banorëve dhe me gaz lotsjellës nga ana e policisë ka patur disa të lënduar nga të dyja palët.

Disa banorë po marrin ndihmë mjekësore për shkak të gazit lotsjellës në spital, ashtu si edhe në radhët e policisë ndërsa nuk dihet numri i saktë i protestuesve të shoqëruarve.

Po ashtu, në kuadër të masave në zonën afër sheshit Shqiponja, policia ka bllokuar qarkullimin jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët dhe nxënësit e shkollave.