Flash News

KRYESORE

Përplasja në Kuvend/ Rama: Hajde këtu Lulzim, trego pse u shfaqe dje në Himarë. Basha: Je gati të zhvishesh lakuriq për të hequr vëmendjen

Përplasja në Kuvend/ Rama: Hajde këtu Lulzim, trego pse u shfaqe

Kryeministri Edi Rama dhe kryeopozitari Lulzim Basha janë përfshirë në replika gjatë seancës plenare dhe ishte kreu i qeverisë ai që provokoi opozitën për paraqitjen dje në Himarë në mbështetje të banorëve që do u prishen shtëpitë si rrjedhojë e planit urban.

Rama kërkoi nga Basha shpjegim për pjesëmarrjen në protestën e djeshme në Himarë, ndërsa e lidhi praninë e demokratëve me letrën e opozitës greke drejtuar Komisionit Evropian kundër Shqipërisë.

“Lulzim, hajde këtu dhe jepu shpjegim shqiptarëve se çfarë kërkonte dje PD në Himarë. Hajde jep shpjegim pse bashkove zërin e PD-së me ata që nxjerrin bishta kundër projektit në Himarë. Hajde dhe përgjigju, çfarë është Himara për ty dhe çfarë shkeljesh ka bërë qeveria aty? Hajde jepu përgjigje shqiptarëve, si ka mundësi që PD u shfaq në Himarë të nesërmen e një letre të opozitës greke drejtuar Komisioni Evropian për gjoja të shkeljeve të të drejtave të minoritetit grek? Hajde jep shpjegim, pse PD është kthyer kundër përpjekjes shqiptare në bashkëpunim me BE, për hapjen e negociatave?”-, tha Rama.

Basha replikoi menjëherë duke theksuar se Rama po përpiqet t’i ikë pyetjes fondamentale përse e mbushi vendin me drogë. Kreu i PD-së i përmendi kryeministrit edhe lidhjet e ministrave dhe kryebashkiakëve me kriminelët, ndërsa prej tre vitesh mban të bllokuara negociatat me BE-në.

“A e shikoni këtë që i thotë vetes kryeministër se si kërkon t’i ikë pyetjes fondamentale, pse e mbushe Shqipërinë me drogë? Ç’punë ke ti me kriminelët? Ç’punë ka ministri yt me ata që kërkohen për ekstradim? Po të them ty Edi Rama, nuk i ikën dot kësaj pyetje. Ti patriot? Po ti ke 3 vite që pengon hapjen e negociatave. E ke në kushte, lufto krimin, lufto korrupsionin. Çfarë bën ti? Drekon dhe darkon me kriminelët, me të cilët i përdor për të mbajtur pushtetin tënd legjitim. Ja ku e ke eksportin o më i madhi kastravec. Nuk janë shifrat e opozitës këto. Droga është eksporti yt. Ti nuk mund të ishte aty në një sistem demokratik. I gjithë investimi yt është ky sistem i kriminelëve. Do të japësh llogari, herët a vonë, unë besoj më shumë herët sesa vonë”, tha Basha.

Rama ngrihet sërish nga vendi i tij dhe thotë nga flotorja: “Pyetja që kam prap është çfarë donte PD dje në Himarë? Ky është një shpjegim që duhet ta japësh ti dhe jo unë. Nuk kam qenë kurrë njeriu që mendon se kundërshtarit duhet t’i thuash antikombëtar. Nuk mendoj se ju jeni antikombëtarë, por jeni njerëz që nuk mbani përgjegjësi. PD duhet t’u shpjegojë shqiptarëve se cilat shkelje ka bërë qeveria në Himarë?”

Edhe kreu i opozitës iu përgjigj sërish replikës së kryeministrit: “1.3 miliardë euro ka nxjerrë Shqipëria me drogën. Mendja nuk e kupton dot këtë shifër. E keni parë si i thahet pështyma këtij patriotit. Ky është patrioti që varfëron Shqipërinë dhe dërgon shqiptarët në eksod. Po mbron shqiptarët duke u pamundësuar ngrohjen familjeve. Streha e fundit e maskarait është pseudopatriotizimi. Po të ishe patriot, ti jepje dorëheqjen që ditën e parë kur u kapën “mushkonjat”. Beteja për demokraci dhe shtetin ligjor nuk ka marrë fund në Shqipëri. Nuk mund t’u justifikohesh shqiptarëve pse ta ka mbyllur derën Evropa si kryetrafikanti i drogës. Është transkriptuar e zeza në të bardhë se si trafikantët tregojnë me gisht policinë dhe thonë këta janë tanët. Ti e ke për borxh të vish këtu dhe të zhvishesh lakuriq përpara njerëzve vetëm për të hequr vëmendjen nga 1.3 miliardë euro. Ti ke mbaruar si kryeministër. Qeveria jote ka mbaruar punë me shqiptarët, ndaj teatrin e shëmtuar mund ta vazhdosh edhe për pak kohë. Zgjedhja të takon ty dhe askujt tjetër, nëse do e pranosh rrëzimin e qeverisë tënde institucionalisht ose me popullin përball dhe rreth teje.”

Sërish Rama: “Nuk i numërova dot sa sharje dhe fyerje vulgare u dëgjuan. Unë nuk shaj dhe nuk fyej. E vërteta është se askujt nuk i kam thënë as kriminel dhe as hajdut. Për sa kohë janë shqiptarët që vendosin ju mund të vazhdoni avazin tuaj t’i trajtoni si budallenj. Pyetjes, që po ta përsëris për të tretën herë, i referohesh të shkuarës se kush duhej të procedohej, të jesh i bindur se do i japë përgjigje drejtësia. Këtu do jemi dhe do shikojmë dhe do kuptojmë shumë më tepër se ç’mund të pretendojë njëri apo tjetri. Nuk të thashë më parë, je njeriu që ke firmosur dorëzimin e një cope territor të Republikës Shqipërisë. Keni shkelur interesin kombëtar dhe keni shkelur Kushtetutën e vendit. Pse i shmangesh një pyetje të thjeshtë që nuk ta bëj unë, por ta bën çdo shqiptar. Pse zëri i PD-së u ngrit më lart dhe u përputh me zërat që ngrihen për arsyet e tyre politike në vendin fqinj dhe synojnë të pengojnë rrugën evropiane të Shqipërisë.”

Sërish Basha: “Kushdo që e ka ndjekur këtë gjysmë orësh në Parlament e kupton fare mirë sikletin e Edi Ramës. E ka këtë siklet që kur është rifutur në këtë sallë, prap me paratë e drogës. Ky që nuk duronte dot aleatët politik në prehër, sot nuk e krimin në prehër, por është vetë krimi. As një vendim nuk merr dot ky njeri pa krimin dhe kriminelët. Një fjalë të vetme nuk thotë dot për ata 30% të shqiptarëve që nuk paguajnë dot bukën e fëmijëve. 43% familje që nuk ngrohin dot shtëpitë e tyre. Ky ka substanca të tjera për t’u ngrohur. 1.3 miliardë euro sikur të digjeshin do mjaftonin për të ngrohur Edi Ramën. Të tjerat janë “bullshit”. Ti je përgjegjësi dhe autori i një ekonomie në krizë që nuk prodhon asgjë. Ti je autori i marrjes peng së demokracisë, nëpërmjet marrjes peng të votës. Nuk mund të them që Partia Socialiste është antikombëtare. Nuk mund ta them sepse kam miqësi me socialistë që janë të dëshpëruar. Shqiptarëve u ke vjedhur Shqipërinë me krimin, atyre u ke vjedhur edhe partinë. Nuk ka asnjë aryse tjëtër për moshapjen e negociatave përveç faktit që vendi sundohet nga krimi.”

Të fundit