Flash News

KRYESORE

Përplasja në Ulqin/ Shqiptarët ndalojnë meshën e mitropolitit serb në kishën e Shën Gjonit; mediat ruse i fryjnë konfliktit etnik dhe fetar

Shumë pranë kufirit me Shqipërinë, në fshatin Shas që ndodhet në Mal të Zi, u zhvillua ditën e djeshme një përplasje midis banorëve shqiptarë dhe mbështetësve të mitropolitit të kishës ortodokse, Amfilohije Radovic.

Radovic dhe rreth 150 besimtarë kërkuan të zhvillonin një meshë në kishën e Shën Gjonit në këtë fshat, por banorët vendas nuk kanë pranuar duke akuzuar mitropolitin për përpjekje në deformimin e historisë. Ata kanë theksuar se kisha ortodokse i përket shqiptarëve dhe aty nuk mund të mbajë meshë një prift që bën deklarata anti-shqiptare dhe anti-malazeze.

Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, gjithsesi, pas reagimit të Komunës së Ulqinit, Radoviç dhe mbështetësit e tij nuk janë lejuar të futen brenda kishës dhe ceremoninë e zhvilluan në ambientet jashtë saj.

Gjatë debateve midis shqiptarëve dhe serbëve, këta të fundit janë shprehur se muslimanët nuk mund të pretendojnë mbrojtjen e kishës, por përgjigjja që kanë marrë nga banorët është se kisha u përket shqiptarëve ortodoksë të zonës.

Fshati Shas ka 268 banorë dhe të gjithë identifikohen si shqiptarë.

Për ngjarjen ka patur reagime në Ulqin dhe në Podgoricë, ku komuniteti dhe partitë shqiptare kanë kërkuar të evitohet çdo provokim dhe kanë paralajmëruar se çështjen do e ngrejnë në të gjitha institucionet lokale dhe qendrore.

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka dalë gjithashtu në mbrojtje të minoritetit shqiptar në Mal të Zi, ndërsa nga Tirana dhe Prishtina nuk ka asnjë reagim zyrtar.

Ndërkohë, media ruse ‘Sputnik’, në versionin e saj në gjuhën serbe, i ka fryrë më shumë konfliktit. “Fillon zyrtarisht persekutimi i serbëve në Mal të Zi”, shkruan kjo media, e cila flet për përplasje fetare dhe etnike në shtetin fqinj me Shqipërinë.

Amfilohije Radovic është mitropolit i kishës serbe në Mal të Zi, ndërkohë kisha ortodokse malazeze nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Ai bën shpesh herë deklarata që drejtohen kundër shqiptarëve, veçanërisht atyre të Kosovës, por edhe kundër malazezëve, duke shkaktuar debate në këtë shtet.

Të fundit