Flash News

KRYESORE

Përplasja për kishën shqiptare në Ulqin, reagon deputeti i PD: Jeni shembull i vetëdijes dhe patriotizmit të kulluar

Përplasja për kishën shqiptare në Ulqin, reagon deputeti i

Deputeti i Partisë Demokratike, Romeo Gurakuqi ka reaguar pas përplasjes në Shas të Ulqinit, midis banorëve shqiptarë dhe besimtarëve ortodoksë serbe.

Shqiptarët e Shasit ndaluan dje mitropolitin e kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfilohije Radovic, që të mbante meshën brenda kishës së Shen Gjonit, duke e akuzuar për tjetërsim të historisë.

Edhe deputeti shqiptar akuzon përfaqësuesit e kishës serbe se po kërkojnë të tjetërsojnë kulturën arbërore në vendin fqinj. Ai e konsideron reagimin e shqiptarëve si shembull të vetëdijes dhe patriotizmit të kulluar.

“Qyteti mesjetar i Shasit, pjesë e kulturës arbnore. Kisha e Shën Gjonit, monument kulture i klasit të parë në Republikën e Malit te Zi, e mbrojtur me vendosmëri nga shqiptarët e Anes se Malit, Ulqinit dhe Krajes, përballë ndërhyrjeve tjetërsuese të perfaqësuesve të Kishës Serbe. Respekt për ju dhe gjithë miqte tuaj, Ismet Kallaba, Dritan Ceka, Fadil Kovaci. Jeni shembull i vetëdijes dhe patriotizmit të kulluar”, shkruan Romeo Gurakuqi.

Radovic dhe rreth 150 besimtarë kërkuan të zhvillonin një meshë në kishën e Shën Gjonit në këtë fshat, por banorët vendas nuk kanë pranuar duke akuzuar mitropolitin për përpjekje në deformimin e historisë. Ata kanë theksuar se kisha ortodokse i përket shqiptarëve dhe aty nuk mund të mbajë meshë një prift që bën deklarata anti-shqiptare dhe anti-malazeze.

Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, gjithsesi, pas reagimit të Komunës së Ulqinit, Radoviç dhe mbështetësit e tij nuk janë lejuar të futen brenda kishës dhe ceremoninë e zhvilluan në ambientet jashtë saj.

Gjatë debateve midis shqiptarëve dhe serbëve, këta të fundit janë shprehur se muslimanët nuk mund të pretendojnë mbrojtjen e kishës, por përgjigjja që kanë marrë nga banorët është se kisha u përket shqiptarëve ortodoksë të zonës.

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka dalë gjithashtu në mbrojtje të minoritetit shqiptar në Mal të Zi, ndërsa nga Tirana dhe Prishtina nuk ka asnjë reagim zyrtar.

Fshati Shas ka 268 banorë dhe të gjithë identifikohen si shqiptarë.

Të fundit