Flash News

KRYESORE

Përplasje Edi Rama-Gent Sejko për shitjen e ‘NBG’? Lobim i madh për t'ja dhënë ‘Abi Bank’; Banka e Shqipërisë donte ‘FiBank’

Përplasje Edi Rama-Gent Sejko për shitjen e ‘NBG’? Lobim i

Shitja e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) tek Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI Bank) do të finalizohet së shpejti. Burime të bankave thanë për Monitor se marrëveshja pritet që të mbyllet brenda këtij viti.

Pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve, pritet që ajo të çohet për miratim tek Banka e Shqipërisë. Burime nga kjo e fundit thanë se kërkesa nuk ka ardhur ende, por lanë të nënkuptohet se ata kanë në plan që ta miratojnë këtë transaksion, pasi ABI është një bankë me aktivitet të qëndrueshëm.

Në garë për të blerë NBG ishin edhe Banka e Parë e Investimeve (FiBank) dhe Eurosig. Që në fillim, ABI Bank mësohet se ishte e preferuar dhe lobimi ka qenë i madh për ta shpallur atë fituese, ndërsa Banka e Shqipërisë, e drejtuar nga Genti Sejko, favorizonte Fibank, ndërsa Eurosig ishte jashtë loje, për shkak të mungesës së përvojës së sistemit bankar. Procesi zgjati disa muaj për shkak të çmimit të ulët të ofruar.

Opozita shqiptare ka akuzuar zyrtarisht kryeministrin Edi Rama se është i përfshirë në ‘ABI Bank’, aty ku bashkëshortja e tij është pjesë e bordit drejtues. Ish-kryeministri Sali Berisha ka theksuar se regjistrimi në off-shore e kësaj banke përdoret nga Rama për të pastruar paratë e fituara nga trafiku i drogës.

Për t’u rikthyer te shitja e ‘NGB’, Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratat e fundit ka bërë thirrje që të bëhet kujdes me transaksionet bankare.

NBG e Greqisë, që pas krizës së borxheve greke nxori në shitje filialet e saj të rajonit, si pjesë e planit për t’u ristrukturuar në linjë me rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane. Në shitje është edhe Tirana Bank, pjesë e grupit bankar të Pireut, por edhe banka të tjera, ndaj vitit 2018 pritet të jetë aktiv në proceset e shit-blerjeve. Për këtë arsye, drejtuesit e NBG nxituan që të mbyllnin marrëveshjen brenda këtij viti.

Asetet e NBG Albania, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9-mujorin ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.

Pas shitjes së NBG dhe përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa San Paolo, sistemi bankar do të ketë 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të këtij viti, teksa procesi i konsolidimit të sistemit pritet të vazhdojë me intensitet edhe vitin e ardhshëm.

Të fundit