Flash News

KRYESORE

Përshkallëzohen tensionet mes Kinës dhe SHBA; Pekini "dhëmbë për dhëmbë" me amerikanët, urdhëron mbylljen e konsullatës në Chengdu

Përshkallëzohen tensionet mes Kinës dhe SHBA; Pekini

Kina ka urdhëruar mbylljen e konsullatës amerikane në qytetin jug-perëndimor të Chengdu, si "shpagim" ndaj qeverisë amerikane e cila mori vendimin për mbylljen e konsullatës kineze në Hjuston.

Masa, e cila përshkallëzon më tej mosmarrëveshjet midis dy vendeve, ishte një "përgjigje e nevojshme"- sipas autoriteteve kineze- për SHBA-në, pas vendimit të marrë nga kjo e fundit në fillim të kësaj jave.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se vendimi i SHBA u mor sepse Kina po "vidhte" pronën intelektuale. Kujtojmë se, administrata e Presidentit Donald Trump është “përleshur” në mënyrë të përsëritur me Pekinin mbi tregtinë, pandeminë koronavirus, si dhe imponimin e Kinës për një ligj të ri të diskutueshëm të sigurisë në Hong Kong. Ndërsa, veprimet e fundit kanë rritur edhe më tepër mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

Masa e Kinës erdhi disa orë pasi Z. Pompeo ashpërsoi tonet gjatë një fjalimi të enjten në bibliotekën e ish Presidentit Richard Nixon, vizita e të cilit në Kinë në 1972 paralajmëroi një periudhë të marrëdhënieve të përmirësuara.

"[Ish Presidenti] Richard Nixon kishte të drejtë kur shkruajti në vitin 1967 se ‘bota nuk mund të jetë e sigurt derisa Kina të ndryshojë.’ Tani ne duhet t’i dëgjojmë me vëmendje fjalët e tij", tha Pompeo.

Sekretari Pompeo tha se "paradigma e vjetër e angazhimit të verbër me Kinën ka dështuar. Ne nuk duhet ta vazhdojmë atë. Ne nuk duhet të kthehemi tek ajo”.

Përkundrazi, "ne kemi nevojë për një strategji që mbron ekonominë amerikane dhe mënyrën tonë të jetesës. Bota e lirë duhet të triumfojë mbi këtë tirani të re", tha ai.

Zoti Pompeo e kujtoi me respekt udhëtimin historik të ish presidentit Nixon në Pekin gati 50 vjet më parë dhe filozofinë e tij se "ne thjesht nuk mund të përballojmë ta lëmë Kinën përgjithmonë jashtë familjes së kombeve ... bota nuk mund të jetë e sigurt derisa të ndryshojë Kina. Kështu që, qëllimi ynë, deri në atë masë që ne mund të ndikojmë tek ngjarjet, duhet të jetë nxitja e ndryshimeve."

"Bota e lirë duhet të triumfojë mbi këtë tirani të re."

Çfarë ka thënë Kina?

Ministria e jashtme e Kinës tha që mbyllja ishte një "përgjigje e ligjshme dhe e nevojshme ndaj veprimeve të paarsyeshme të ndërmarrura nga Shtetet e Bashkuara".

"Situata aktuale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është diçka që Kina nuk dëshiron ta shohë, dhe SHBA mbajnë të gjithë përgjegjësinë për këtë."

Kina u dha SHBA kohë deri të hënën për të mbyllur konsullatën në Chengdu, sipas redaktorit të Global Times të Kinës.

Misioni, i themeluar në vitin 1985 dhe aktualisht ka më shumë se 200 anëtar të stafit diplomatik dhe 150 të punësuar vendas, si dhe shihet si një institucion i rëndësishëm strategjik sepse lejon që SHBA të mbledhin informacione për rajonin autonom të Tibetit, ku ka pasur presion të gjatë për pavarësi.

Me industrinë e saj dhe sektorin e shërbimeve në rritje, Chengdu gjithashtu shihet nga SHBA si mundësi për eksporte të produkteve bujqësore, makina dhe makineri.

Të fundit