Flash News

KRYESORE

Personazhi i vitit: Studentët që “shpëtuan” 2018-ën; mbetësat e panjohur që u bënë imponues

Të mos ishte për zhvillimet e dhjetorit, 2018-ta do ishte arkivuar njëlloj si paraardhësit e saj, si ato vite që kanë ardhur e kanë iku, që kanë gjetur e kanë lënë, të njëjtat halle.

Teksa vendi po i afrohej “gjumit dimëror”,  dhe festat e fundvitit i japin një dorë fshehjes së realitetit, kambana ra, por jo për të sinjalizuar gjumin.

“Kafexhinjtë”, “ata ta të cilët nuk lexonin”, dolën në rrugë për të thënë fjalën e tyre para se të mbylleshin raportet plotë “suksese” vjetore.

Në ditët e para të dhjetorit grupe të rinjsh nisën të mblidheshin para godinës së ministrisë së Arsimit, prej nga ku artikulonin shqetësimet e tyre. Organizimi mori formë ditë pas dite, dhe thirrjeve për bashkim ju bashkuan çdo ditë e më shumë, derisa grupi i vogël i të rinjve u bë me mijëra.

Me mënyrën e tyre, ashtu fejsbuk-she, pa drejtues, dhe me memet, (protestë më vete), studentët ja dolën të ndryshonin axhendat e politikës, opinionit dhe medias. Në ekranet dhe portalet nuk ishin shfaqur asnjëherë aq shumë të “panjohur” që merrnin mikrofonin për të treguar dëshminë e tyre.

Në ato dy javë protesta arriti të ruajë sterilitetin duke i mbajtur larg partitë, edhe pse kërkesat e tyre ishin qartësisht politike. Ishin kërkesa që hodhën dritë në një realitet që qeveria dhe media, nuk e dinin ose bëni sikur.

Me dëshmitë e tyre, studentët i treguan atyre që nuk e dinin, se çfarë sakrifice është për shumicën e familjeve shqiptare për të shkolluar një fëmijë, sesa janë paratë që dalin nga çdo familje që fëmija të ketë një diplomë. Treguan sesi mësonin në fillim hallet pastaj librat, sesi dhe ku jetojnë ata të cilët nesër do të marrin drejtimin e vendit. Treguan sesi lëmshet me ligjet bëni që edhe ata me aftësi të veçanta dhe familje në nevojë, të paguanin tarifa njësoj si të tjerët, edhe pse ligji ua mundëson falas.

Mjaftuan vetëm dy javë për ta cilësuar 2018-ën, si vitin e studentëve. Dy javë për të treguar se edhe këta që nuk i kanë marrë ende rrugët e emigrimit, nuk janë mbetësa, por imponues. Por mesa duket duhet të shkojë “thika në palcë”, që të vijnë reagime të tilla.

Kryeministri tha se protesta i dha një shuplakë qeverisë dhe një grusht opozitës, por në fakt, me grusht qëllohet ai që është më i fuqishëm, e në të gjitha rastet, më e fuqishme është qeveria pasi e bën të tillë pushteti.

Festat që mbledhin familjet ja dolën ta ndalnin protestën por në janar është njoftuar se studentët do të jenë sërish në rrugë. Protesta e tyre është protesta më e bukur e zhvilluar në Shqipëri këto dy dekada, dhe në mos u përsëritsh sërish, ata që dolën në rrugë ato dy javë të fillim dhjetorit ja dolën të shkundnin një vend të tërë, një vend i cili ishte mësuar të zbriste në shesh vetëm kur e thërrisnin flamujt e partive.

Ashtu sikundër ata të ‘90-ës edhe studentët e sotëm e bënë detyrën e tyre, detyrën e lartë për të qenë një qytetar model.

 

 

 

Të fundit