Flash News

KRYESORE

Përurohet çerdhja e re në Kombinat, ka një hapësirë për fëmijët me aftësi ndryshe

Kryebashkiaku Erion Veliaj përuroi çerdhen numër 34 në zonën e Kombinatit, e cila u dëmtua nga tërmeti i fuqishëm që ra para disa ditësh. Çerdhja ka 150 fëmijë dhe risia e këtij kopshti është jo vetëm ofrimi i shërbimit psikosocial, por edhe prania e mjekut që monitoron zhvillimin fizik të fëmijëve, e veçanërisht të atyre me nevoja të veçanta.

“Jam shumë i lumtur që logopedistët, psikologët, i gjithë stafi ynë ndihmës, do t’i kushtojë një hapësirë të veçantë fizike, por edhe kohore, të gjithë engjëjve tanë që kanë aftësi ndryshe, të cilët meritojnë të njëjtin shans për sukses, si gjithë fëmijët e tjerë të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Ai e cilësoi si një lajm të mirë këtë çerdhe të re, sidomos pas tërmetit që ra, pasi sipas Veliajt, hapësira e re do t’i ndihmojë fëmijët ta kalojnë më mirë traumën që mund të ketë shkaktuar tek ata fenomeni natyror.

“Fakti që po e hapim pas një fatkeqësie natyrore, pra fëmijët e filluan javën pas tërmetit me një kopsht të ri, me mësuese, me edukatore, me psikologë, me asistentë që shpjegojnë edhe nëpërmjet lojës se çfarë ndodh kur tronditet toka, besoj se tranzicionin nga java traumatike e kanë kaluar më të butë se kushdo tjetër, në këtë hapësirë fantastike”, theksoi Veliaj.

Gjithashtu, kryebashkiaku siguroi të gjithë banorët e prekur nga pasojat e tërmetit se banesat e tyre të dëmtuara do të rindërtohen, falë edhe bashkëpunimit me komunitetin e biznesit.

“Shumica e shtëpive që janë prishur nga tërmeti, janë shtëpi kryesisht të ndërtuara në mënyrë primitive. Doja shumë që të vazhdojmë edhe me adoptimin e disa hapësirave që kemi identifikuar këtu në Kombinat, apo në zonat përreth. Pra, për të gjithë donatorët që duan të adoptojnë një shtëpi në Kombinat, të sigurohemi që, siç kemi bërë shtëpinë e përbashkët, ashtu edhe shtëpitë individuale t’i bëjmë në kohë rekord, para Vitit të Ri, qoftë për banesat më të dëmtuara, qoftë me disbursimin e parave për banesat më pak të dëmtuara”, u shpreh Veliaj.

Të fundit