Flash News

KRYESORE

“Peshqit e mëdhenj” po kapen nga KLSH, institucioni i fundit ku Edi Rama nuk ka emëruar “të përkohshmin e tij” (Përplasjet me Bujar Leskajn)

“Peshqit e mëdhenj” po kapen nga KLSH, institucioni i fundit ku

Nënkryetarja e Kontrollit të Lartë Shtetëror, Lindita Lati ka bërë publike një të dhënë shqetësuese kur deklaroi në emisionin “Java” se vetëm 30% e masave të rekomanduara nga ky insitucion janë marrë në konsideratë nga qeveria, çka do të thotë se 70% e zyrtarëve që kapen në shkelje qëndrojnë të qetë në detyrë.

Edi Rama është i vetmi kryeministër që nuk ka urdhëruar institucionet vartëse që të zbatojnë propozimet për shkarkime të zyrtarëve të administratës kur ata kapen në shkelje nga KLSH. Dhe ky vendim e ka zanafillën në vitin 2011, kur Bujar Leskaj u zgjodh në krye të këtij institucioni.

“Vota jonë kundër Bujar Leskaj në krye të KLSH-së”, ishte kjo fjalia e vetme e Edi Ramës në dhjetor të 2011-ës, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kur drejtonte opozitën në Shqipëri. Socialistët e konsideronin Leskajn si njeri të ish-kryeministrit Sali Berisha, raporton Politiko.al.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës së kohës, Bujar Leskaj u zgjodh me votat e demokratëve në krye të KLSH dhe puna e parë e tij ishte hetimi i dosjeve në bashkinë e Tiranës gjatë periudhës që ishte drejtuar nga ish-kryebashkiaku Edi Rama. Gjithsesi, ai hetim nuk solli asnjë rezultat.

Por, kulmi i përplasjes së Leskajt me Ramën ishte në vitin 2015, dy vite pasi ky i fundit ishte zgjedhur kryeministër i Shqipërisë.

KLSH depozitoi në tetor të 2015-ës një kallëzim penal ndaj ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri, për marrëveshjen e nënshkruar me CEZ. Sipas KLSH-së, marrëveshja i kishte shkaktuar shtetit tonë një dëm kolosal prej 479 milionë eurosh. Gjiknuri reagoi me shpejtësi duke akuzuar se raporti i KLSH-së ishte hartuar nga Partia Demokratike. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryeministri Rama.

Ndërkohë, KLSH nën drejtimin e Bujar Leskajt ka mbetur i vetëm institucion i rëndësishëm ku Rama nuk ka emëruar ende “të përkohshmin e tij”, siç ka bërë me Prokurorinë e Përgjithshme apo me Shërbimin Informativ Shtëtëror.

Por pavarësisht refuzimit të kryeministrit për të zbatuar kërkesat, së fundmi, KLSH po rikthehet sërish në ‘lojë’ dhe këtë herë duke u përdorur kundër “peshqve të mëdhenj”.

Dy ngjarjet e bujshme të këtyre muajve, skandali i pronave në plazhin e Spillesë dhe skandali me rrugën Tiranë-Elbasan, po heton nga Prokuroria mbi bazën e raporteve të KLSH-së. Deri më tani, si rezultat i këtyre dy skandaleve kanë dëshmuar në Prokurori dy ish-ministra, një kryebashkiak dhe pritet dëshmia e ministrit Gjiknuri, ndërkohë që disa zyrtarë të nivelit të dytë kanë përfunduar në qeli.

Por në qendër të raporteve të KLSH-së përgjatë këtyre 7 viteve nuk kanë qenë vetëm drejtues të socialisteve, por edhe zyrtarë të demokratëve. Rasti i fundit ishte kallëzimi penal ndaj kryebashkiakut të Kukësit, i zgjedhur si propozim i PD-s.

Skandali i Ramës, refuzon të shkarkojë 70% të zyrtarëve të kapur në shkelje nga KLSH, midis tyre edhe Dashamir Xhika

Të fundit